Republika e Kosoves

Gjakovë

FUNKSIONIMI ADMINISTRATIV

Funksionimi administrativ dhe politik

 

Komuna e Gjakovës funksionon në bazë të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale (Ligji Nr. 03/L-040), Statutit dhe akteve të tjera nënligjore. Ky ligj ka për qëllim ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm të vetëqeverisjes lokale dhe të përmirësimit të efikasitetit të shërbimeve publike në të gjitha komunat në Republikën e Kosovës.

Neni 2.1 i këtij ligji përkufizon statusin ligjor të komunave, kompetencat dhe parimet e përgjithshme të financave komunale, organizimin dhe funksionimin e organeve komunale, marrëdhëniet brenda komunale dhe bashkëpunimin ndër komunal, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave dhe pushtetit qendror. Komunat i ushtrojnë kompetencat e tyre sipas parimit të bashkëpunimit dhe të ndarjes së pushteteve:

  • kompetencat vetjake;
  • kompetencat e deleguara, dhe
  • kompetencat e zgjeruara, në përputhje me ligjin.

Komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, për sa i përket interesit lokal, duke i respektuar

standardet e përcaktuara në legjislacionin e zbatueshëm. Kuvendi i Komunës së Gjakovës është organi më i lartë në komunë, i cili zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët në pajtim me Ligjin mbi Zgjedhjet Lokale. Kuvendi i Komunës së Gjakovës ka 35 anëtarë dhe 2 komitete të përhershme. Administrata komunale e Komunës së Gjakovës është e organizuar në 12 drejtori, të cilat menaxhohen nga drejtorët komunalë në përputhje me udhëzimet strategjike dhe politike të kryetares dhe në pajtim me ligjet dhe rregulloret komunale në fuqi.

Struktura qeveritare dhe politike është e bazuar nga rezultatet e fundit zgjedhore të organizuara në vitin 2017 me 114,418 votues duke përfshirë edhe votuesit jashtë komunës. Në këto zgjedhje dalja e votuesve ka qenë në 36.25% ose 41,478 votues (Burimi: Komisioni Qendror Zgjedhor).