Republika e Kosoves

Malishevë

Drejtoria e Arsimit në Malishevë mbajti aktivitet me nxënësit me nevoja të veçanta

2023/12/01 - 3:15

Në prag të shënimit të 3 Dhjetorit-Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, Drejtoria për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, sot e ka mbajtur një aktivitet me fëmijët, nxënës me nevoja të veçanta, ku bashkë me këta nxënës, morën pjesë dhe prindërit e tyre, si dhe Fatmir Limaj, kryetar i NISMA Social Demokrate, Vesel Krasniqi, nënkryetar i Komunës së Malishevës, drejtoresha e DAE, Arbëreshë Krasniqi dhe zyrtarë tjerë e mësimdhënës.

Në këtë aktivitet, me rastin e shënimit të 3 Dhjetorit, drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, i uroi të gjithe personat me nevoja të veçanta dhe i siguroi se “qeveria komunale në Malishevë, do të jetë në shërbimin e tyre, për të krijuar kushte sa më të mira dhe lehtësi në zhvillimin e aktiviteteve të përditshme, si dhe në shkollimin dhe edukimin e tyre, pasi kjo kategori duhet ti gëzojnë të gjitha të drejtat, si pjesë e barabartë e shoqërisë”.

Ndërsa kryetari i NISMA Social Demokrate, Fatmir Limaj, në fjalën e rastit, i ka përgëzuar të gjithë arsimtarët që merren me edukimin e nxënësve me nevoja të veçanta. “Respekt e mirënjohje për të gjithë që jeni angazhuar në këtë aktivitet. Mirënjohje e respekt të pafund, për të gjithë prindërit dhe mësimdhënësit, që kujdeseni e merreni me shkollimin dhe edukimin e tyre. Kjo është një sprovë jetësore dhe shteti e shoqëria jonë, jo vetëm që duhet ti trajtoj të barabartë, por duhet të qëndrojë sa më afër tyre dhe t’ju krijoj kushte sa më të mira, sepse është obligim. Këta nxënës janë pjesë e jona e pandashme dhe arsimtarët që merren me edukimin e tyre janë njerëz të mëdhenj”, tha mes tjerash Fatmir Limaj, i cili në fund dha edhe një mesazh për të gjithë ata që kujdesen për këta fëmijë, duke ju thënë se “Ne jemi me ju dhe na keni prapa duke ju mbështetur me çdo gjë”.

Në këtë aktivitet, drejtoresha e SH.F.M.U. “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, Rrezartë Mazreku-Kastrati, ka paraqitur një historik të krijimit të klasave për nxënës me nevoja të veçanta, nga vitit 2002 e deri më sot, dhe punën që bëhet në këtë shkollë me këtë kategori.

Më pas, njëri nga ish nxënësit e parë të kësaj shkolle, Arben Krasniqi, paraqiti përvojën e tij personale dhe edukimin që ka marrë, e i cili tash, jo vetëm që ka përfunduar shkollimin e lartë dhe është zyrtar komunal, por është edhe në përfundim të temës së masterit, në fushën e administratës publike.

Në emër të prindërve, Zize Gegaj, e ka falënderuar komunën dhe të gjithë mësimdhënësit që i mbështesin në vazhdimësi në mënyrë që edhe këta fëmijë të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë.