Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Certifikohen ekipet komunale për programin “Vlerësimi kolegial”

2024/05/23 - 3:01

Në një ceremoni solemne, sot janë çertifikuar ekipet bërthamë të shkollave dhe ekipit komunal për programin “Vlerësimi kolegial”.
Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian, aprovuar nga Ministria e Arsimit dhe e zbatuar nga Komuna e Mitrovicës, respektivisht Drejtoria e Arsimit, me qëllim të realizimit të objektives së funksionalizimit të mekanizmave të cilësisë në shkollat e Mitrovicës.
Në këtë ceremoni e pranishme ishte drejtoresha e DKA-së, znj. Drita Kadriu, eksperti i programit KosEd, z. Robert Blease, drejtor të shkollave të qytetit të Mitrovicës dhe mësimdhënës.
Shkollat në të cilat është implementuar ky projekt janë: “Migjeni”, “Fazli Grajqevci”, “Andon Zako Cajupi”, “Bedri Gjinaj”, “Osman Rama”, “Elena Gjika”, “Sylejman Vokshi”, “Jusuf Rexha”.
Drejtoresha e DKA-së, znj. Drita Kadriu, në fjalën e saj, ka thënë se është nderi im t’ju uroj mirëseardhjen në këtë ceremoni për të kremtuar arritjet tuaja me rastin e përfundimit të trajnimit për vlerësimin kolegial, përmes programit KosED të BE-së.
“Udhëtimi ynë filloi muaj më parë me mbështetjen e projektit KosEd, që shpesh po njihet si projekti i Robertit, duke synuar t’i pajisë mësimdhënësit tanë me aftësi kryesore të vlerësimit. Përmes trajnimit në punë, mësuesit tanë kanë treguar përkushtim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e praktikave arsimore për identifikimin e pikave të forta, adresimin e dobësive dhe zbatimin e strategjive për rezultate më të mira të nxënësve. Duke fuqizuar mësuesit tanë, ne po ndërtojmë një sistem arsimor më dinamik dhe efektiv”, theksoj drejtoresha znj.Kadriu.
Më tutje, e para e Arsimit në Mitrovicë, znj. Kadriu shprehu mirënjohjen e saj për partnerët nga Inspektorati i Arsimit, MASHT si dhe projektin KosEd duke shtuar se ky certifikim shënon punën dhe përkushtimin e palodhur, duke na frymëzuar të gjithëve.