Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Në Mitrovicë përkujtohet masakra serbe në rrugën e Kovaçëve

2024/04/14 - 4:38

Në 25-vjetorin e masakrës në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, i shoqëruar nga nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, kryesuesja e kuvendit të Komunës, znj. Vesa Broja, drejtorë të drejtorive dhe asamblistë kanë vendosur buqeta me lule dhe kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore ku janë të vendosur emrat e të rënëve, e ku të pranishëm ishin edhe familjarët e viktimave.
Kryetari i komunës, z. Hamza, në fjalën e tij tha se kjo ishte masakra më e madhe e forcave policore serbe që kanë bërë brenda qytetit të Mitrovicës ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.
“Me 14 Prill 1999, Mitrovica u shëndrrua në dëshmi të tmerrit ku qytetarë të pafajshëm e civil u privuan nga jeta në mënyrë barbare me vrasje dhe masakër nga forcat serbe për të vetmen arsye se ishin shqiptar”, është shprehur ndër të tjerash kryetari Hamza.
Në këtë masakër, që është njëra ndër më të mëdha në komunën e Mitrovicës, nga kriminelët serbë janë të vrarë 31 shqiptarë.