Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Shënohet Dita e shkollës fillore “Elmaz Peci” në Rahovë dhe 25 vjetori i rënies së dëshmorëve Elmaz Peci dhe Veton Peci

2024/05/03 - 9:36

Me një ceremoni të mbushur emocion shkolla fillore “Elmaz Peci, në fshatin Rahovë shënoi ditën e saj, si dhe u përkujtua rënia e dy dëshmorëve Elmaz Peci dhe Veton Peci.
Në këtë ceremoni morën pjesë nënkryetari i komunës, z.Arian Tahiri, drejtoresha e DKA-së, znj.Drita Kadriu, asamblistë të Kuvendit Komunal, drejtori i shkollës fillore, mësimdhënës, nxënës, përfaqësuesit e FSK-së, përfaqësuesit e Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, familjarë dhe qytetarë tjerë.
Në fjalën e tij nënkryetari, z.Arian Tahiri, tha se jemi mbledhur këtu që të festojmë ditën e shkollës, ditë kjo që mban emrin e dëshmorit Elmaz Peci, i cili së bashku me Veton Peci u flijuan për atdhe, të cilëve u jemi mirënjohës tërë jetën për sakrificën e tyre në lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë.
E nga ana tjetër, drejtoresha e DKA-së, znj. Drita Kadriu, ka folur për sakrificën sublime të dëshmorëve Elmaz Peci dhe Veton Peci, por edhe të gjithë atyre që dhanë më të shtrenjtën jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Përmes kësaj ceremonie shkolla u nderua dhe u falënderua për kontributin e saj në edukimin e brezave të rinj.
Vlen të potencohet se dëshmorët, Elmaz Peci dhe Veton Peci, kanë dhënë kontribut të veçantë për logjistikën e UÇK-së, në Brigadën 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës, duke mos kursyer asgjë. Ata u flijuan më 2 maj 1999 për arsimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.