Mbahet festivali “Takimet e Poeteshave Shqiptare”
2024/11/01 - 9:40
Vushtrria sonte ishte nikoqire e poeteshave nga të gjitha trojet shqiptare, që me poezitë e tyre u bënë pjesë e festivalit tradicional “Takimet e Poeteshave Shqiptare”, që këtë vit po shënon edicionin e 42-të.
Në hapje të festivalit, kryetari i Komunës së Vushtrrisë,
Ferit Idrizi, tha se është i lumtur që Vushtrria po e vazhdon traditën që çdo vit të mbledh poeteshat nga të gjitha trevat shqiptare.
“Poetesha nga të gjitha trojet shqiptare, sot u bënë bashkë në qytetin e Vushtrrisë, që me poezitë e tyre ishin kryefjala e edicionit të 42-të të festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare”. Ky festival është një testament i fuqisë së fjalës dhe një nderim për gratë që e frymëzojnë çdo brez me penën e tyre”, tha kryetari Idrizi.
Si simbolikë që Vushtrria është nikoqire e poeteshave nga të gjitha trojet shqiptare që nga viti 1979, sot është zbuluar edhe pllaka me mbishkrimin “Poeteshat Shqiptare”.
Nga gjithsej 18 poezi garuese, në vendin e parë u rëndit poezia “Sonte” e autores Minivere Muja Maka, në vendin e dytë poezia “Vetëm sot” e autores Thomaidha Tanuçi, në vendin e tretë poezia “Kërko” nga autorja Barije Çupi, ndërkaq me çmimin debutues u shpërblye autorja Ajne Iberhysaj me poezinë “Në sytë e mi mund të shkruash vargje”.
Ndërsa, me çmimin “Mysafire nderi” u shpërblyen Sala Jashari, pinjolle e familjes legjendarje Jashari dhe poetja Adelina Pali.
Festivali tradicional “Takimet e Poeteshave Shqiptare” u organizua nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dhe përkujdesjes së Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.