Republika e Kosoves

Vushtrri

Vushtrria ose Vicianumi, siç është quajtur përpara sipas emrit të vjetër ilir, është lokalitet antik, që daton qysh nga mesjeta, edhe para Perandorisë Romake, përkatësisht që nga koha e dardanëve. Viciana në fund të shekullit I para l. K. pushtohet nga Perandoria Romake. Gjatë periudhës së pushtimit romak (I–V) Viciana kishte arritur një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik dhe kulturor. Pas shkatërrimit të Perandorisë Romake, Viciana mbeti në kuadër të Bizantit. Pas ndarjes së krishterimit më 1054 në katolicizëm dhe ortodoksizëm, pjesa më e madhe e popullatës së Vicianës ishte katolike. Në shekullin XIV Perandoria Osmane filloi ta pushtojë Ballkanin dhe me këtë edhe Vushtrrinë. Gjatë shekujve XV–XVIII, Vushtrria ishte ndër qytetet më të mëdha në Ballkan, në Perandorinë Osmane dhe qendër e sanxhakut më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane. Gjatë Luftës së Parë Botërore, përkatësisht gjatë viteve 1915–1918, Vushtrria u pushtua nga Austro-Hungaria. Në Luftën II Botërore (1941-1945) Vushtrria me rrethinë i takonte zonës së pushtuar nga gjermanët. Në nëntor të vitit 1944, në Vushtrri u vendos administrata komuniste jugosllave deri në luftën e armatosur të popullit të Kosovës, e organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe ndërhyrja e forcave të NATO-s (mars – qershor 1999) ku përfundimisht më 17 qershor 1999 u çlirua nga Serbia.