Republika e Kosoves

Vushtrri

Filloi ndërtimi i objektit të ri shkollor në Stanoc të epërm të Vushtrrisë

2018/10/04 - 2:27

Nxënës, mësimdhënës, qytetarë dhe drejtues të pushtetit lokal, sot në fshatin Stanoc të Vushtrrisë kanë marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shkollës së re “Migjeni”.

Me rastin e fillimit të punimeve në ndërtimin e kësaj shkolle, kryetari i Komunës Xhafer Tahiri, përveç urimit për nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e Stanocit, ka bërë thirrje edhe për bashkëpunim më të madh të të gjithëve që të krijojnë kushte sa më të mira për fëmijët në nxënien e dijes.

“Sot është një ditë gëzimi dhe krenarie, kur pas kaq vitesh po fillon ndërtimi i objektit të ri të Shkollës “Migjeni” në Stanoc të epërm. Jam shumë i lumtur që po fillojmë këtë objekt shumë të rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tonë dhe vendit tonë. Ju uroj dhe po ashtu ju ftoj që të punojmë bashkë, që të përkrahim fëmijët në nxënien e dijes. Bashkë me ju prindër e sidomos me ju mësimdhënës të punojmë dhe të angazhohemi maksimalisht që të krijojmë një shans më të mirë fëmijëve tanë për një ë ardhme më të sigurtë për vendin tonë. Vetëm dija dhe shkollimi është garancë për përparimin dhe radhitjen e vendit tonë në mesin e vendeve të zhvilluara dhe të përparuara”, ka thënë kryetari Xhafer Tahiri, në ceremoninë e fillimit të punimeve të ndërtimit të këtij objektit shkollor.

Ndërtimi i këtij objekti shkollor pritet të përfundoj brenda dy vitesh.