Kryetari Idrizi: Mbështesim kërkesat e qytetarëve dhe bizneseve
2024/12/23 - 11:05
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë,
Ferit Idrizi, ka pritur sot në takim Këshillin e Fshatit Stanoc i Poshtëm dhe përfaqësuesit e bizneseve që shfrytëzojnë pronat publike në Vushtrri.
Në këtë takim, Këshilli i Fshatit Stanoc i Poshtëm paraqiti kërkesën për ndalimin e dhënies në shfrytëzim të parcelave publike në këtë lokalitet, duke argumentuar se kanë në plan realizimin e projekteve me interes publik, të mbështetura nga donatorë të jashtëm.
Ndërkohë, përfaqësuesit e bizneseve që aktualisht operojnë pranë Urës së Gurit kërkuan të mos procedohet me dhënien në shfrytëzim të kësaj parcele, deri sa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për aktivitetet e tyre.
Pas takimit, kryetari Idrizi, tha se do t’i mbështes kërkesat e qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve.
“Palëve ju premtova se do t’i mbështes kërkesat e tyre, dhe në seancën e radhës (që do të mbahet të enjten, datë 26.12.2024), do t’i propozoj Kuvendit që të ndalet procedimi i mëtejmë i dhënies në shfrytëzim afatgjatë i të gjitha pronave të propozuar nga Komisioni i Kuvendit Komunal”, deklaroi kryetari Idrizi.