Republika e Kosoves

Vushtrri

Mbahet tryezë diskutimi për dhunën në bazë gjinore

2024/04/30 - 6:43

“Ndal dhunën në baza gjinore”, ka qenë motoja e tryezës së diskutimit që është mbajtur sot të organizuar nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, nga Njësiti Komunal për të Drejtat e Njeriut.
Panelistët në këtë tryezë diskutimi ishin të fushave multidisiplinare, ku përmes kumtesave të tyre kanë dhënë këndvështrimin e tyre për këtë temë dhe hapat që duhet ndërmarrë për parandalim të dhunës në baza gjinore.
Në këtë tryezë u diskutua për dhunën në familje, dhunën ndaj grave, parandalimin e saj, rolin e Qendrave për Punë Sociale, Policisë së Kosovës, Zyrës për Barazi Gjinore dhe shkollës për luftimin e kësaj dukurie në shoqëri. Ndërkaq, zbatimi i ligjeve që kontribuojnë në luftimin e dhunës në baza gjinore, masat e rrepta ndëshkuese për kryesit e veprës së dhunës në familje ishin disa nga konstatimet që u nxorën nga kjo tryezë si parakusht i parandalimit dhe luftimit të dhunës në familje.
Të pranishëm ishin maturantët e tri shkollave të mesme të komunës së Vushtrrisë, drejtorë të shkollave dhe mësimdhënës para të cilëve panelistët referuan temat e tyre.