2019/06/17 - 3:14
Në Ditën e Çlirimit, qyteti i Vushtrrisë është bërë me shtatoren dhe Sheshin e patriotit të madh kombëtar “Hasan Prishtina.
Në ceremoninë e zbulimit të Shtatores dhe Sheshit, kanë marrë pjesë drejtues të institucioneve të vendit, Shqipërisë, Maqedonisë dhe atyre të Preshevës.
Zbulimin e shtatores e kanë bërë kryetari i Komunës Xhafer Tahiri, Arben Ademi ministër i arsimit në Maqedoni, nënkryetari Besim Muzaqi, ambasadori i Shqipërisë Qemajl Minxhozi dhe kryesuesi i Kuvendit Nasuf Aliu.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka deklaruar se është i lumtur që sot biri i Vushtrrisë, Hasan Prishtina po rikthehet në qytetin e tij. “Sot jam tepër krenar që Vushtrrisë, Vicianës antike në 20 vjetorin e çlirimit të saj, po i kthehet biri i saj më i ndritur, Heroi i Kombit Hasan Prishtina. Ky shesh sot e përjetë do të mbajë me krenari emrin dhe shtatoren e Hasan Prishtinës. Të dashur fëmijë ta dini që puna dhe vepra e Hasan Prishtinës e bëri atë të pavdekshëm në historinë e popullit shqiptar. Andaj ju ftojë ta mbani në mendjet e në zemrat tuaja emrin e tij dhe ta përdorni si motiv kur të ndjeheni të lodhur në rrugën e nxënies së dijes apo kur të ju zë dëshpërimi nga kundërshtitë që do të merrni për idetë e reja që ju i keni”, ka thënë kryetari Tahiri.
Në këtë ceremoni kanë folur edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi si dhe Shaip Hyseni, sekretar i degës së Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së në Vushtrri, Shaip Hyseni.
Me rastin e Ditës së Çlirimit, po ashtu Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë ka ndarë çmime, dekorata e mirënjohje për njerëzit që kanë kontribuar për kombin dhe Vushtrrinë. Çmimi nderi i Vushtrrisë, i është ndarë veprimtarit Ali Januzi.