Lajmet   Binjakëzohen Gjakova dhe Lodeve e Frances

Binjakëzohen Gjakova dhe Lodeve e Frances - 11 maj 2013

Edhe vdekjen e bëri poetike, tha kryetari Pal Lekaj 
 Java e Mitingut të Poezisë, të 49-tin me rradhë është shënuar edhe me një simbolikë vërtetë domethënëse, ku pos përkushtimit në këtë miting për poetin e shquar global Ali Podrimja, njiherit është bërë edhe binjakëzimi i qytetit të lindjes së poetit, Gjakovës, me qytetin poetik e të vdekjes së poetit, Lodeve të Francës.Për këtë binjakëzim, gjithë zyrtarët u shprehën se shkaku i kësaj lidhjeje ishte Ali Podrimja, këtij binjakëzimi ishte vdekja e tij, vdekja e poetit të përmasave të gjera. “Gjakova sot po nënshkruan aktin e binjakëzimit me komunën Lodeve të Francës në shenjë të një vëllazërie e bashkëpunimi kulturor, miqësor e në aspekte tjera, ndërmjet këtyre dy komunave në përkujtim të poetit Ali Podrimja, i cili, siç e deshi Zoti, në Lodeve la frymën e fundit” është shprehur për binjakëzimin kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për të shtuar në këtë kontest se vdekja e tij ishte emblematike dhe bëri që këto dy qytete të kenë çfarë të kujtojnë, të kenë çfarë të shënojnë në analet e tyre. Duke qenë se këtij binjakëzimi i parapriu dhe u fokusua tërësisht në kulturë, kreu komunal i Gjakovës pohoi se “gjeografia shqiptare është e ndarë është e pjesëtuar pdrejtësisht dhe më së miri përshkruhet në krijimtarinë artistike dhimbja e këtij populli”. Për binjakëzimin e bërë, Pal Lekaj tha se si komunë e bëjnë me vetëdije dhe me qëllim për të ruajtur këtë vëllazërim, e bëjmë duke e ruajtur emrin e poetit Ali Podrimja, ngase ky emër ka shënuar histori në letërsinë botërore, por edhe për ne Gjakovën ka shënuar rreshta krenarie”. Duke ndalur në fjalën e tij për vdekjen e poetit, Lekaj ka përmbyllur fjalën e tij me pohimet se “siç e njihnim ne Aliun, ashtu siç jetonte poetikisht, edhe vdekjen e bëri poetike”. Maryse Davjet, ambasadore e Francës në Kosovë e ka vlerësuar Gjakovën si një qytet të kulturës, të artizanaleve, qytet të tolerancës fetare dhe duke vlerësuar këtë qytet si dhe poetin Ali Podrimja ka thënë se me këtë binjakëzim ofrohen mundësi shumë të mira për shkëmbime kulturore dhe edukative dhe duke ripërmendur tolerancën ndërmjet feve ka potencuar edhe Teqetë që ndodhën dhe njiherit ka premtuar se do të ofrojë mbështetjen e saj maksimale për bashkëpunim ndërmjet dy qyteteve dhe kulturave të binjakëzuara. Hadj Madani, zëvendëskryetar i Komunës Lodeve ka folur për specifikat që ka kjo komunë, për festivalin e njohur poetik “Zëri i Mesdheut”, ku nga viti 2008 deri në vdekje të tij, në vitin 2012, Ali Podrimja ka qenë dy herë pjesëmarrës. Lodeve, ka pohuar Madani, do të mbetet vendbanimi i fundit i Ali Podrimes dhe do të mbajmë gjithnjë në kujtesën tonë forcën e fjalëve të lëna. Në emër të familjes për këtë binjakëzim ka falënderuar djali Petriti,i cili tha se ndërmjet Gjakovës dhe Prishtinës për binjakëzim, familja zgjodhi Gjakovën për shkak të lindjes dhe lidhjeve shpirtërore që kishte, për shkak të Urës së Fshejtë, për shkak të nofkës Ali Taliani,si dhe specifikave tjera. Pas binjakëzimit, poeti Julien Blaine ka lexuar vargje në nderim dhe kujtim të poetit Ali Podrimja.

RSS

Sign in