Mbahet mbledhja e 8-të e Kuvendit të Komunës
2022/10/05 - 6:46
Nën udhëheqjen e kryesueses së Kuvendit Komunal Arbënesha Kuqi, është mbajtur mbledhja e 8-të e Kuvendit të Komunës, takim ky që vjen pas një pauzë një mujore përgjatë pushimeve verore.
Si pikë kryesore e këtij takimi ishte shqyrtimi dhe miratimi i Buxhetit Komunal për vitin 2023. Prezantimin e Buxhetit e ka bërë drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj, i cili mes tjerash ka përmendur rritjen e shumës totale të buxhetit, me theks të veçantë rritjen e të hyrave vetanake por edhe rritjen e Investimeve Kapitale në vlerë prej rreth 11.5 milion euro, një rritje kjo prej rreth 3 milion euro në total. Sipas drejtorit Halilaj, Komuna e Gjakovës është organizata buxhetore me përqindjen më të lartë të investimeve kapitale në nivel vendi. Pas diskutimeve konkrete, Buxheti Komunal është miratuar.
Krahas kësaj pike, drejtori Halilaj ka prezantuar edhe normën tatimore për tatimin në pronë për vitin 2023, pikë e cila gjithashtu është miratuar.
Poashtu janë miratuar edhe pikat e rendit të ditës që lidhen me caktimin e parcelës në Firzë për ndërtimin e Qendrës Ditore për të Moshuarit, rishqyrtimi i Rregullores për Taksa Komunale, rishqyrtimi i vendimit të Kuvendit për emërtimin e rrugëve dhe rishqyrtimi i vendimit për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Kishës Katolike Rilindja në Gjakovë.
Anëtarët e Kuvendit Komunal kanë miratuar edhe propozimin për formimin e komisionit për ndryshimin e disa pikave të statutit të komunës dhe inicimin e ndryshimit të simboleve të komunës së Gjakovës.
Në këtë takim, është diskutuar edhe draft Kodi i Etikës për komunën e Gjakovës, dokument ky i cili është prezantuar nga Menaxheri i Burimeve Njerëzore, Kushtrim Brahimaj. Edhe ky dokument, pas diskutimeve është miratuar nga anëtarët e kuvendit komunal.
Anëtarët e kuvendit e kanë miratuar rishqyrtimin e vendimit të kuvendit për mbështetje financiare të shoqatës “Handikos” në Gjakovë. Kjo pikë është rikthyer në këtë mbledhje, pas ndryshimeve të kërkuara, e të prezantuara në këtë takim nga drejtoresha për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale Adelina Shehu – Kola.
Në fund të këtij takimi, nga drejtoresha e drejtorisë për Arsim Eranda Kumnova – Baçi është dhënë një raport i detajuar për përgatitjet e komunës për fillimin e vitit të ri shkollor, e gjithashtu është diskutuar edhe për situatën aktuale rreth grevës së mësimdhënësve.