Republika e Kosoves

Vushtrri

Vushtrria kremtoi Ditën e Çlirimit

2010/06/17 - 12:00

Dita-e-Clirimit-023.jpgNë rrugët e stolisura me flamuj që në mëngjesin e hershëm në qytet ka qenë atmosferë festive . Derisa në orët e paraditës nxënës të shkollave kryesishtë të qytetit kanë defiluar nëpër rrugën qendrore Dëshmorët e kombit deri tek sheshi “Adem Jashari” duke krijuar një atmosferë me të vërtet festive.Ndërkaq në të gjithë Vushtrrinë qytetarë, dhe përfaqësues të institucioneve kanë bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në vendin e rënies së dëshmorëve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu dhe gjithë martirëve tjerë. Bashkë me delegacionin e institucioneve të komunës nderime në varrezat e dëshmorëve të kombit ka bërë edhe gjeneral Zymer Halimi anëtar i Shtabit të përgjithshëm të FSK-së.

Manifestimi kryesor i Ditës së clirimit është mbajtur në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”. Në këtë ditë të shënuar kryetari i komunës Bajram Mulaku tha se institucionet komunale por edhe gjithë qytetarët e Vushtrrisë me rastin e kësaj dite shprehin respekt të thellë për gjenerata të tëra të veprimtarëve të vushtrrisë që punuan për lirinë e kombit.

Duke shpalosur vlerat për të cilat ranë dëshmorët dhe martirët, Mulaku tha se sot puna në krijimin e kushteve për një jetë të begatshme për të gjithë dhe ndërtimi i vendit janë veprat më të mira për përmbushjen e amanetit dhe idealeve për të cilat ranë dëshmorët. “Me vepra të mira dhe punë të palodhshme të bëjmë qytetin tonë vend tërheqës për të jetuar”, është shprehur Mulaku.

Ndërkaq në emër të Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UCK-së, Xhafer Istrefi kryetar i degës tha se me gjithë arritjen e lirisë, idealet e dëshmorëve të UCK-së për bashkim kombëtar ende nuk janë përmbushur.

Me rastin e Ditës së clirimit, në akademinë solemne kryetari i komunës Bajram Mulaku dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal kanë ndarë pllaketa e mirnjohje për dëshmorët, veprimtarë të dalluar të ceshtjes kombëtare, nxënës të dalluar, organizata që kanë ndihmuar zhvillimin ekonomik të Vushtrrisë si dhe sportistë.
 

Me aktivitete të shumta të enjtën është kremtuar Dita e Çlirimit të Vushtrrisë. Në këtë ditë të shënuar në historinë më të re të Vushtrrisë, pas një përpjekje të gjatë pas largimit të forcave serbe me 17 qershorin e vitit 1999 në qytet hynë triumfalishtë forcat e NATO-së dhe ato të UCK-së që i sollën përfundimisht lirinë Kosovës.