Republika e Kosoves

Gjakovë

Kuvendi komunal diskuton për gjendjen e Stacionit Transfer në “Ali Ibra”

2020/07/13 - 7:38

Kuvendi i Komunës së Gjakovës, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku në fokusim ka qenë gjendja e mbeturinave në stacionin transfer të mbeturinave në lagjen “Ali Ibra”, me theks të posaçëm të vënies së zjarreve të qëllimshme në këtë deponi. Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, ka shprehur falënderimet e tija për thirrjen e kësaj seance, pasi gjendja nuk është aspak e mirë, dhe ka vënë në dijeni se policia dhe organet e hetuesisë janë në veprim. Siç tregoi më tej kryetari Ardian Gjini, zjarret janë vënë në gjithë hapësirat e deponisë dhe se është duke u punuar me të madhe për shuarjen e këtyre zjarreve, që nga dita e nesërme, ndërkohë që nga java e ardhshme nis pastrimi i deponisë transfer. Njëkohësisht, nga kryetari Ardian Gjini është mirëpritur deklarata e lexuar nga Mimoza Shala, e cila në emër të subjekteve politike dhe këshilltarëve nënshkrues të kësaj mbledhje, lexoi deklaratën e cila më vonë u harmonizua dhe si e përbashkët u votua unanimisht. Në këtë deklaratë pos tjerash kërkohet hetimi dhe vënia para drejtësisë e fajtorëve dhe zjarrvënësve, pastrimi në kohë sa më të shpejtë, mundësisht në afat gjatë tridhjetë ditëve, e më pas të bëhet mbyllja e kësaj deponie transferuese e për rrjedhojë gjelbërimi i zonës, e të tjera. Duke kërkuar racionalitet në kohë dhe veprim, kryetari Ardian Gjini ka kërkuar që afati prej tridhjetë ditësh të shtyhet edhe për tridhjetë ditë të tjera, e përsa i perket mbylljes së stacionit transfer ka pohuar se ajo do të mbyllet porse për një kohë jo të gjatë do të jetë funksionale një hapësirë e vogël e saj. Ndërkaq, pjesa tjetër do të jetë e gjelbëruar.
Nga kryetari Ardian Gjini janë dhënë edhe spjegime të tjera që kanë të bëjnë me stacionin transfer të mbeturinave e ku së shpejti do të shihen dhe rezultate konkrete.