Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e radhës e Komitetit për Politikë dhe Financa

2019/05/17 - 12:41

Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Gjakovës ka mbajtur mbledhjen e pestë të rregullt për këtë vit.

Pas miratimit të rendit të ditës të propozuar nga kryesuesi Anton Shala, në këtë mbledhje është vendosur që shqyrtimi i kërkesave për miratimin e Planit Lokal për Veprim në Mjedis dhe Planin Lokal për Veprim në Biodiversitet të shtyhet për një takim tjetër pasi nga anëtarët e KPF-së është kërkuar që të ketë edhe plotësime të tjera.

Në raportin e punës së Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim për vitin 2018, drejtori Luan Dinaj ka thënë se përpos punës konform kompetencave preventive dhe ndërhyrjeve në raste emergjente, janë mbajtur edhe ushtrime dhe trajnime të ndryshme profesionale ndërkombëtare, si dhe ka pasur donacione dhe vizita zyrtare, ku duhet cekur se Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve të Bazelit i ka dhuruar Shërbimit Zjarrfikës të Gjakovës mjete dhe pajisje për shuarje të zjarrit në vlerë prej 15.500 franga zvicerane. Mandej ka pasur donacion nga KFOR-i italian në kompletimin e kabinetit të teknologjisë informative në Shërbimin e Zjarrfikësve, si dhe është realizuar vizitë me karakter zyrtare në kantonin e Cyrihut, për të cilën është angazhuar shoqata shqiptare-zvicerane “Shoqëria”. Vlen të theksohet se në vitin e shkuar si pasojë e fatkeqësive natyrore ka pasur dëme material në të dy sektorët në shumë prej 250,036 euro. Dëmet në sektorin privat kanë qenë në shumë prej 207,800 euro ndërsa në atë publik 42,236 euro.

Për  shqyrtim në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal ka kaluar edhe propozim-vendimi i kryetarit të Komunës së  Gjakovës, Ardian Gjini, për themelimin e ndërmarrjes së re publike lokale “Arkitekti i Qytetit”. Anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, sot kanë miratuar edhe Rregulloren e Punës së Kuvendit Komunal. Njëjtë kanë vepruar edhe me tri pika të tjera të rendit të ditës, që kanë të bëjnë me propozim-vendimin për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Gjakovës 01. Nr.112/02-8448 të datës 30.03.2018, për formimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave në procedurën e Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale, propozim-vendimin për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Gjakovës 01. Nr.112/02-3955 të datës 28.02.2018, për formimin e Komisionit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale, si dhe propozim-vendimin për themelimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave në Procedurën e Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale.