Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet mbledhja e rradhës e Kuvendit Komunal

2020/04/08 - 11:52

Është mbajtur sot mbledhja e tretë për vitin 2020 e Kuvendit të Komunës. Krahas pikave të rregullta, pikë kryesore e këtij takimi ishte diskutimi për situatën aktuale në komunën e Gjakovës si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid 19 dhe masat të cilat është duke i marrë komuna e Gjakovës për parandalimin e kësaj pandemie.

Në raportimin e tij para të anëtarëve të Kuvendit, kryetari i komunës Ardian Gjini ka thënë se qeverisja lokale është duke u angazhuar më maksimum që me shërbimet e veta të jetë afër qytetarëve. Në këtë drejtim, sipas kryetarit Gjini, komuna ka ndërmarrë të gjitha masat e kërkuara nga institucionet përkatëse shëndetësore, fillimisht duke e bërë pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve, objekteve të të gjitha institucioneve, hyrjeve të banesave kolektive e të tjera. Komuna gjithashtu në bashkëpunim me institucione dhe organizata tjera, ka siguruar të gjitha pajisjet e nevojshme mbrojtëse, si dhe është përkujdesur për grumbullimin dhe shpërndarjen e pakove të shumta ushqimore dhe higjienike për qytetarët nevojtarë.

Duke e garantuar seriozitetin e komunës së Gjakovës dhe vendosmërinë që qeverisja lokale të jetë afër qytetarëve, kryetari Gjini, ka siguruar që komuna nuk do të kursejë asgjë, madje nëse ka nevojë, edhe do të anulojë të gjitha projektet investive, vetëm e vetëm që jeta e qytetarëve të jetë në plan të parë. Kryetari Gjini gjithashtu ka siguruar qytetarët që komuna do të kujdeset që asnjë familje të mos mbetet pa ushqime dhe mjete higjienike, pasi jeta dhe shëndeti i qytetarëve aktualisht është prioriteti kryesor i institucioneve.

Në fund, kryetari Gjini ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të jenë bashkëpunues, duke përfillur në përpikëri udhëzimet e profesionistëve shëndetësor pasi vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohet dhe të tejkalohet kjo pandemi.

Në këtë mbledhje, që e ka qenë mbledhje e rregullt e kuvendit, është miratuar edhe bartja e të hyrave vetanake të pashpenzuara nga viti fiskal 2019 në buxhetin e vitit 2020 si dhe është bërë shpallja e interes publik për dy prona në qytetin e Gjakovës, me qëllim të realizimit të projektit të lumit Krena.