Republika e Kosoves

Gjakovë

Prezentohet plani i shpronësimit për ndërtimin e tranzitit të ri

2019/03/15 - 1:52

Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Komasacion, sot ka bërë prezantimin e projektit për ndërtimin e rrugës së re tranzite prej “Pikës së Zezë-Ura e Nakaradës”, në të cilën pronarët e sipërfaqeve të tokave janë njoftuar detajisht për projektin në tërësi. Afërdita Lama, drejtore e drejtorisë, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një trase në gjatësi prej 3.6 kilometra dhe me gjerësi prej 38 metrave. Në këtë hapësira pronat rezultojnë të jenë në sipërfaqe më të madhe të atyre privat, tridhjetë e shtatë sish, ndërkaq njëzet të tjera janë pronë shoqërore. Nga këto prona, në përgjithësi do të shpronësohen 129330 metra katrorë, prej të cilave llogaritur në përqindje konstatohet se pesëdhjetë e dy për qind janë prona private ndërsa katër dhjetë e tetë të tjera shoqërore.

Nga drejtoresha Afërdita Lama, qytetarëve të pranishëm u është bërë e ditur se të dhënat për shpronësim janë të përgatitura dhe të dërguara në qeverinë qendrore, respektivisht në ministritë përkatëse, ndërkohë që mjetet për investime janë të ndara pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, me ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Në këtë prezantim, gjithashtu është sqaruar se të dhënat mund të gjenden edhe në faqen zyrtare të Komunës porse për çdo të interesuar mund të merren të dhëna edhe në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Komasacion.