Republika e Kosoves

Klinë

Shënohet Dita e Shkollës “Ismet Raci” në Klinë

2018/09/18 - 1:54

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismet Raci” në Klinë ,  ka shënuar përvjetorin e  ditës së themelimit të saj. Me këtë rast, mori pjesë edhe i pari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Prof. Arben Limani.  Manifestimi është përcjellë edhe nga mësimdhënës, drejtorë të shkollave të Klinës, prindër si dhe nxënësit e kësaj shkolle.

Kryetari i komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, me fjalën e tij,  duke iu drejtuar të pranishmëve :
Ndihem e lumtur sot, në këtë ditë të madhe feste për nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët e  Klinës dhe arsimin shqip, që sot gjendem mes jush për të kujtuar, përjetuar dhe shënuar  bashkërisht një ngjarje me rëndësi historike për zhvillimin e arsimit në  Komunën e Klinës, Ditën e shkollës së kësaj vatre të dijes dhe diturisë kombëtare, e cila me krenari mban emrin e ish-mësimdhënësit shumëvjeçar të kësaj shkolle, veprimtarit dhe dëshmorit të lirisë dhe demokracisë, Ismet Rraci, i cili jetën e tij e sakrifikoi në rrugën e dijes dhe të kombit të tij.

Kjo ngjarje madhore, që po e shënojmë sot, saj na bën të ndjehemi krenarë për rezistencën, sakrificat, por edhe të arriturat që ka pasur për gjithë këto dekada të punës dhe veprimtarisë së këtij tempulli të dijes.

Ashtu, si edhe i tërë populli shqiptar, që pati një rrugëtim të vështirë të zhvillimit dhe mbijetesës, ashtu edhe shkolla shqipe, e në këtë kuadër  edhe kjo shkollë  pati një rrugëtim të tillë, duke kaluar nëpër sfida dhe zhvillime të rëndësishme të jetës, por gjithnjë pa u lëkundur dhe pa u gjunjëzuar kurrë përballë vështirësive të kohës.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që kjo shkollë funksionin e saj arsimor e ka zhvilluar dhe akoma po e zhvillon në kushte të vështira. Mirëpo, edhe ne si pushtet lokal, por edhe Qeveria e Kosovës jemi të përcaktuar që arsimit dhe edukimit të brezave të rinj t’ju kushtojmë rëndësi. Po punojmë më të madhe që arsimin, këtë segment të rëndësishëm ta avancojmë dhe nxënësve tanë t’ju krijojmë  kushte sa më të mira për mësim dhe përparim.
Sot, ne, vetëm sa dëshirojmë të shprehim urimin e përzemërt  për kremtimin e kësaj dite të shënuar, të bukur dhe shumë të gëzuar,  vatër drite, burim diturie dhe prosperiteti, aq edhe për përkujtimin e gjithë atyre që kanë rënë në rrugën e dijes dhe lirisë së  Republikës së Kosovës. Ky ideal dhe ky përkushtim ishte frymëzues edhe i shumë mësuesve të kësaj gjatë këtij rrugëtimi të shkronjave të kësaj shkolle.

Suksese dhe mbarësi  në rrugën tuaj të dijes!

Gëzuar ndër vite dhe dekada kjo Ditë e bukur e shkollës!