PËRKUJTOHET NËNA TEREZA NË 114-VJETORIN E LINDJES
2024/08/28 - 9:08
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë me rastin e 114-vjetorit të lindjes së Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza. Kjo qendër mban me krenari emrin e saj. Kryetari Elezaj u prit nga drejtori i Shëndetësisë, z. Agron Bacaj, dhe drejtori i QKMF-së, Dr. Gazmend Boja, si dhe nënkolonel Alan Gulisano nga RCW KFOR-i Italian. Me këtë rast, u mbajt një takim përkujtimor për jetën dhe veprën e Nënë Terezës.
Në fjalën e tij, kryetari Elezaj theksoi se Qendra e Mjekësisë Familjare me krenari mban emrin e madh të Nënë Terezës, dhe u shpreh i përkushtuar që kësaj qendre të mos i mungojë asgjë. Ai vuri në dukje investimet e shumta të realizuara në bashkëpunim me BE-në dhe organizata të tjera, por theksoi se edhe shumë projekte të tjera janë në plan për përmirësimin e shëndetit të qytetarëve.
Nënkoloneli Alan Gulisano shprehu kënaqësinë dhe krenarinë për mundësinë që kanë pasur për të ndihmuar shëndetësinë në Klinë, veçanërisht QKMF-në. Ai theksoi se projektet e realizuara kanë ndikuar në përmirësimin e kujdesit për të gjithë ata që kanë nevojë.
Ndërsa, drejtori i QKMF-së, Dr. Gazmend Boja, falënderoi kryetarin Elezaj dhe zëvendëskomandantin e KFOR-it për kontributin dhe përkushtimin ndaj Qendrës së Mjekësisë Familjare, si dhe për ndryshimet që kanë sjellë në infrastrukturë dhe shërbime. Falë këtyre përmirësimeve, gjatë këtij viti janë kryer mbi 115,000 vizita dhe rreth 145,000 shërbime.
Në përfundim të takimit, u ndanë mirënjohje për të gjithë mjekët që u pensionuan gjatë vitit 2023.