Republika e Kosoves

Klinë

130.000 EURO INVESTIME NË GJIMNAZIN “LUIGJ GURAKUQI”

2024/09/04 - 12:11

Shkolla e Mesme e Lartë “Luigj Gurakuqi” është institucion arsimor me të cilin Klina, mësimdhënësit e nxënësit e saj ndihen krenarë si për të kaluarën e saj, periudhën gjatë okupimit serb kur kishte rol kyç për edukimin e të rinjve në frymë atdhetare dhe arsimimin e brezave, po ashtu edhe për kuadrot profesionale që kanë dalë nga ky institucion ndër vite.
Me qëllim të sigurimit të kushteve më të mira të mësimdhënies, duke iu përgjigjur kërkesave e nevojave që ka shkolla, ne në vazhdimësi kemi investuar në përmirësimin e kushteve infrastrukturore aty.
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj bashkë me drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdija, kanë vizituar SHML “Luigj Gurakuqi”, ku me drejtorin e shkollës, Skender Maxharraj, kanë parë nga afër realizimin e punimeve për rinovimin e shkollës.
Me këtë rast kryetari Elezaj ka kërkuar nga operatori ekonomik që punimet të kryhen para datës 1 shtator, me qëllim që objekti shkollor të jetë i gatshëm për fillimin e procesit mësimor me kohë.
“Në kuadër të investimeve në këtë shkollë po realizohen dy projekte në vlerë rreth 130 000 euro. Po bëhen investime në rinovimin e shkollës, fasadimin e mureve, vendosjen e dyerve të reja, rregullimin e kabineteve të informatikës, rregullimin e kabinetit për kimi dhe biologji, shtrimin e dyshemesë me epoksid dhe rregullimin e sistemit të ngrohjes qendrore.
Po ashtu, kemi investuar edhe në blerjen e inventarit të ri në kabinete dhe klasë, i cili do të vendoset pas kryerjes së punimeve për rinovim të shkollës.” – ka thënë Elezaj.