Republika e Kosoves

Klinë

Betohet Kryetari i ri i Klinës, Zenun Elezaj, Kryesues i Kuvendit u zgjodh Fadil Gashi

2017/12/22 - 4:20

Sot, është mbajtur mbledhja konstituive e Kuvendit të Komunës së Klinës, ku 26 anëtarët e Kuvendit e kanë dhënë betimin solemn, si dhe e kanë nënshkruar Deklaratën e betimit. Po ashtu, sot, edhe Kryetari i ri i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj (AAK), e ka dhënë betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës. Seancën e udhëhoqi, anëtari me i vjetër i Kuvendit, Zeqir Morina. 

Fillimisht, janë betuar anëtarët e Kuvendit të Komunës, ndërsa pas kësaj, anëtarët e PDK-së dhe ai i IPK-së, kanë braktisur seancën e Kuvendit dhe nuk kanë marrë pjesë në betimin e Kryetarit të ri, me arsyetimin se ish- kryetari Sokol Bashota nuk është ftuar e as konsultuar zyrtarisht për këtë seancë, që është edhe rekomandim i MAPL-së.
Në fjalën e tij pas betimit, Kryetari i ri i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj tha: “ Kam kënaqësinë që sot të jem këtu para jush në këtë Kuvend dhe moment solemn, ku bëhet inaugurimi i asamblistëve, Kryetarit dhe zgjedhja e Kryesuesit. Është moment i krenarisë sime, por edhe i përgjegjësisë, sepse sot po marrim barrën e përgjegjësive të detyrave të reja që na presin gjatë katër viteve të ardhshme. Falë atyre që ranë për lirinë e Kosovës sot po i ndërtojmë institucione dhe po krijojmë organet udhëheqëse në shërbim të gjithë qytetareve”, tha Elezaj, i cili falënderoi ish-kryetarin e Komunës, Sokol Bashota, për punën e bërë.
Me pas, ai tha se parim i qeverisjes sime do të jetë qeverisja me qytetarët dhe për qytetarët. “ Ndjej obligim moral dhe institucional që të falënderoi të gjithë ata qytetarë që kontribuuan që unë të jam Kryetar i Klinës. Zotohem sot, këtu para jush, si Kryetar i Klinës do të jam i paanshëm, unifikues, do të punojmë së bashku që të kthejmë dhe fuqizojmë rolin në këtë Kuvend. Unë dhe asamblistët e Kuvendit e kemi vetëm një detyrë, që t’ju shërbejmë qytetarëve të Klinës me respekt dhe dinjitet. Do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative”, pohoi Elezaj, i cili premtoi përkujdesje për kategoritë e luftës dhe rastet tjera sociale. Ai kërkoi që të janë të bashkuar në të gjitha proceset e zhvillimit që Komunës dhe gjithë qytetarëve t’ju sjellim të mira dhe begati në jetë. “Jam i përkushtuar për realizimin e gjitha projekteve që i kam prezantuar para qytetarëve dhe gjatë fushatës elektorale”, tha në fund Elezaj.
Në seancën e sotme inauguruese, qysh në raundin e parë, Fadil Gashi (LDK), është zgjedhur Kryesuesi i ri i Kuvendit të Komunës, i cili mori 15 vota.
Kuvendi i Komunës së Klinës, ka gjithsej 27 anëtarë, 10 të PDK-së, 6 LDK-ja, 5 AAK-ja, 2 Vetëvendosja, ndërsa nga një (1) këshilltar kanë Nisma për Kosovën, IPK-ja, PSHDK-ja, AKR-ja. Në seancën inauguruese kanë marrë pjesë, zyrtarë të MAPL-së, KFOR-i, OSBE-ja, Policia e Kosovës, prijës fetarë dhe qytetarë të shumtë.