Republika e Kosoves

Klinë

FILLOI PUNA PËR NDËRTIMIN E SHTËPISË PËR TË MOSHUAR, MBI GJYSMË MILION EURO INVESTIME

2023/12/28 - 11:01

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj, drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Bacaj, dhe bashkëpunëtorë të komunës, kanë bërë përurimin e punimeve për fillimin e projektit me rëndësi të veçantë, ndërtimin e shtëpisë për të moshuar.
“Mirëqenia e të moshuarve pa përkujdesje është dhe duhet të jetë brengë për institucione dhe shoqëri. Ne, me qëllim të rritjes së kujdesit ndaj tyre dhe duke iu përgjigjur nevojave e kërkesave që kemi, sot kemi filluar një projekt shumë të rëndësishëm: ndërtimin e shtëpisë për të moshuar e cila do të jetë strehë e sigurt për të moshuarit pa përkujdesje familjare,” – ka thënë Elezaj gjatë këtij përurimi.
Shtëpia për të moshuar, përveç karakterit rezidencial, do të shërbejë edhe për qëndrim ditor, në të cilën të moshuarit do të kenë hapësira për aktivitete ditore.
Ajo do të jetë e pajisur me të gjitha kushtet moderne, edhe me dhoma për kontrolle mjekësore, staf shëndetësor që kujdesen për të moshuar, ashensor, kuzhinë, klima, ndërsa do të akomodojë deri në 40 persona.
Projekti ka vlerë prej 540 000.00 eurosh.