2021/03/24 - 11:11
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Arsimit, z. Enver Gashin, ish zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Driton Bardhecin, kanë marrur pjesë në fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës fillore të mesme të ulët “Azem Bejta” në fshatin Grabanicë dhe palestrës sportive.
Më këtë rast, kryetari Elezaj falënderoi MASH dhe ish zëvendësministrin Bardheci për mbështetjen financiare për realizimin e këtij projekti madhor dhe shumë të rëndësishëm për mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle.
Elezaj theksoi se gjatë mandatit të tij komuna në bashkëpunim edhe me institucionet tjera ka investuar në projekte të rëndësishme në fushën e arsimit, që ka ndikuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe furnizimin me kabinete të nevojshme.
Ndërsa, ish zëvendësministri i MASH, z. Driton Bardheci, uroi mësimdhënësit për fillimin e këtij projekti dhe shtoi se ky është një nga projektet më të rëndëishme që po realizohet në Klinë në sektorin e arsimit.
Ndërtimi i shkollës dhe palestrës sportive financohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe ka një vlerë buxhetore prej 648 390 euro.