Republika e Kosoves

Klinë

Klina festoi dy vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

2010/02/18 - 12:00

 Komuna e Klinës me shumë organizime të ndryshme e shënoi dy vjetorit e Pavarësisë së Kosovës. Me ngritjen e flamurit shtetëror para ndërtesës së Komunës,vazhduan në sheshin e Mujë Krasniqit ku është bërë ngritja e flamurit kombëtar në këtë shesh për nder

   Komuna e Klinës me shumë organizime të ndryshme e shënoi dy vjetorit e Pavarësisë së Kosovës. Me ngritjen e flamurit shtetëror para ndërtesës së Komunës,vazhduan në sheshin e Mujë Krasniqit ku është bërë ngritja e flamurit kombëtar në këtë shesh për nder të Komandantit që ra heroikisht për këtë ditë të madhe, që ne sot po e festojmë.

Mbledhja  solemne e Asamblesë Komunale,u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal,ku në
fjalën  e rastit të Kryetarit të Komunës së Klinës,në seance solemne të Asamblesë Komunale të17 Shkurtit të dy vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës,përshëndeti të pranishmit. Të nderuar delegatë të Asamblesë,familjar të Dëshmorëve,veteran dhe invalid të UÇK-së,Policia e Kosovës,Zyrtarë Ndërkombëtar si dhe qytetare të Komunës së Klinës,mirë se keni ardhur në seancën solemne të Asamblesë Komunale të Klinës, me rastin e datës historike të 17 Shkurtit-Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ndihem i nderuar që sot,nga ky vend,ku dëgjohet dhe respektohet zëri i popullit,t’ju uroj dy vjetorin e Pavarësisë së Republikës se Kosovës,midis atmosferës festive dhe emocionuese që është krijuar kudo në Republikën tonë.
Të nderuar deputet të Asamblesë Komunale të Klinës,sot Republika jonë po shënon dy vjetorin e Pavarësisë,shtetit më të ri në Botë,natyrisht pati,ka dhe do të këtë sfida të llojeve të ndryshme,por këto sfida të zhvillimit po i përballon me sukses,falë menaxhimit të drejtë të kapaciteteve shtetërore dhe ekonomike,falë strategjive efikase qeveritare dhe lokale dhe nga mekanizma të tjerë të institucioneve të tjera vendore që ndihmojnë proceset zhvillimore dhe integruese të Republikës sonë.
Kemi për nder dhe krenohemi se edhe komuna e Klinës ka dhënë kontributin e saj meritor në zhvillimet dhe në proceset e djeshme dhe të sotme,nëpër të cilat po kalon shteti dhe shtetësia e Kosovës. Klina me fshatrat e saj ishte kreh i fuqishëm i luftës së UÇK-së dhe i fali dhjetëra Dëshmor Kombit,në ballë të të cilëve qëndron,si flamur i pamposhtur,Komandanti Mujë Krasniqi-Kapuçi. Klina është pjesë e zhvillimeve ekonomike dhe politike,pjesë e zhvillimeve kulturore dhe arsimore,Klina është pjesë dhe kontribut i proceseve të integrimeve bashkëkohore që po ndodhin sot ne fusha të ndryshme të dijës njerëzore,ku jep kontributin e vet edhe Republika jonë me kapacitetet e veta dhe me zhvillimin e këtyre kapaciteteve. Në këtë dy vjetor të Pavarësisë,kemi të drejtë të ndihemi krenarë për arritjet tona,për punën e përditshme në shërbim të realizimit të kërkesave të qytetarëve,për një zhvillim dhe mirëqenie të tyre edhe më të madhe ekonomike dhe kulturore. Në këtë drejtim nuk do të ndalemi asnjëherë,por me të gjitha kapacitetet tona do të jemi në shërbim të realizimit të detyrave dhe të përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore,në shërbim të zhvillimit dhe të integrimit të Republikës së Kosovës,në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm të Komunës së Klinës dhe të qytetarëve të saj.
Gëzuar dy vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Aktivitete të shumta vazhduan me vizitat e varrezave të dëshmore,gurëthemeli i lapidarit të dëshmorëve në Zabergjë, finalja e garave ne futboll,orë letrare si dhe programi artistik.