Republika e Kosoves

Klinë

KLINA SHËNON DITËN E PAVARËSISË

2025/02/18 - 10:18

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fadil Gashi, bashkëpunëtorë të komunës, komandanti i Policisë në Klinë, Ragip Bytyqi, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë, me shumë aktivitete shënuan Ditën e Pavarësisë së vendit, 17 Shkurtin.
Ceremonia filloi pranë ndërtesës së Komunës, ku u ngrit Flamuri i Republikës së Kosovës dhe u intonua himni, ceremoni kjo e bashkimit dhe lartësimit të kaluarës së lavdishme.
Më pas, u vendosën kurora lulesh pranë shtatores së heroit Mujë Krasniqi – Komandant “Kapuçi”, në nderim të sakrificës dhe kontributit të tij për lirinë, si dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Homazhe dhe kurora lulesh u vendosën edhe pranë Memorialit të personave të pagjetur, bustit të figurës së shquar Ismet Rraci, për kontributin e tij për atdheun, si dhe tek busti i heroit Arben Haliti.
Aktivitetet vazhduan me seancën solemne të Kuvendit komunal në Klinë dhe u përmbyllën në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë, ku pjesëmarrësit përkujtuan dëshmorët e kombit dhe veprat e tyre të pavdekshme.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Klinës, z. Fadil Gashi, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e 17- vjetorit të Pavarësisë.
“Pavarësia e Kosovës është finalizim i synimeve dhe përpjekjeve të gjata të brezave të vendit tonë, e cila u kurorëzua falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo datë mbanë vulën e kontributit të familjes Jasharaj, familjes Haradinaj dhe shumë familjeve të tjera kosovare dhe të Klinës që i dhanë atdheut më të dashurit e tyre. Në këtë ditë të veçantë për vendin, kujtojmë edhe heronjtë e komunës së Klinës, Mujë Krasniqin e qindra trima luftëtarë që u bashkuan me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për t’i dhënë dritë të përjetshme Republikës sonë”,-ka thënë kryesuesi Gashi.
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof.Dr. Zenun Elezaj, duke uruar gjithë qytetarët e vendit, ka theksuar rëndësinë e kësaj dite.
“Sot, në këtë ditë përkujtojmë dhe falënderojmë të gjithë qytetarët e vendit tonë, të cilët në periudha e në kohë të ndryshme kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Populli shqiptar e ka në kujtesë të kaluarën e saj sa të dhimbshme aq edhe heroike, sa të trishtë aq edhe të lavdishme. Sakrifica e brezave na obligon të ngremë në piedestal veprat e heronjve, duke mos i harruar asnjëherë plagët e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, martirët dhe të zhdukurit e luftës.”
Gjithashtu, kryetari Elezaj theksoi dhe vlerësoi lartë kontributin e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij, familjes Haradinaj, Mujë Krasniqit-Kapuçit, presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe miqve tanë ndërkombëtarë të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gëzuar 17 – vjetori i Pavarësisë, Klinë!