Republika e Kosoves

Klinë

KOMUNA E KLINËS DHE BASHKIA E RRËSHENIT BASHKORGANIZUAN HOMAZHIN KULTUROR “MIRDITA NDERON DËSHMORIN E KOMBIT KOLË MIRDITA”

2018/07/08 - 12:55

Në Rrëshen të Mirdites – Shqipëri, në cilësinë e bashkëbatronazhit në mes të Komunës së Klinës dhe Bashkisë së Rrëshenit, u mbajt maifestimi kulturor me moton, “Mirdita nderon dëshmorin e kombit Kolë Ndrecë Mirdita”, ”në shenjë të 20-vjetorit të rënies heroike të këtij dëshmori të kombit në kufirin shqiptaro-shqiptar, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut. Me këtë rast kryetari i Bashkisë së Rrëshenit, z. Ndrec Dedaj dhe kryetari i Komunës së Klinës, familjes se këtij dëshmori i ndanë mirënjohjen STEMA E ARTË, që është mirënjohja më prestigjioze institucionale e Bashkisë së Rrëshenit.

Në këtë manifestim kulturor nga Komuna e Klinës, përpos kryetarit të Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, të pranishem ishin dhe nënkryetari Komunës, Besim Hoti, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Fadil Gashi, drejtorë të drejtorive, familjarë të dëshmorit, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, qytetarë etj.

Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij theksoi se ndjehem sot këtu i lumtur dhe krenar, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Klinës dhe të bashkëpatronazhit me Bashkinë e Mirditës, përkatësisht të kryetarit të kësaj Bashkie, zotit Ndrec Dedaj. “Kam udhëtuar nga Klina deri këtu në Rrëshen, qendrën administrative të Mirditës historike dhe legjendare, me shumë bashkëqytetarë të mi për ta kujtuar dëshmorin e lirisë, Kolë Ndrecë Mirdita, tek rrënjët e origjinës së të parëve të tij, duke iu përkujtuar brezave që ky vend gjatë historisë, edhe dje, edhe sot, ka lind burra të paepur për të mirën e kombit dhe popullit të tij. Kam ardhur sot  këtu me ndjenjën e veçantë të respektit dhe të vlerësimit për personalitetin e shquar të historisë së re të vendit dhe kombit tonë, Kolë Ndrecë Mirditën, si dhe për të çmuar përkushtimin dhe kontributin që ka dhanë familja Mirdita, për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve”, është shprehur kryetari Elezaj, i cili në vijim theksoi se dua të theksoj nga ky tubim nderimi në këtë ditë të përkujtimit dhe të ndarjes së mirënjohjes me moton “Mirdita nderon dëshmorin e kombit Kolë Mirdita”, se qëllimi i lartë i Kolës ishte t’i shihte njerëzit të bashkuar dhe të dinjitetshëm, sepse kjo ishte rruga e vetme që do të mund të sillte lirinë e vendit tone. “Puna për lirinë e Atdheut ishte moto që u shndërrua në parim të veprimit politik dhe kombëtar dhe që e frymëzoi  këtë dëshmor lirie dhe gjithë dëshmorët e tjerë deri në çastin e fundit të jetës së tyre. Ne shqiptarët kudo që jetojmë, në Shqipëri e Kosovë, në Çamëri e Iliridë dhe gjithë gjeografinë tonë etnike, duhet të kultivojmë mirëkuptimin, tolerancën dhe respektin për gjithësecilin, thesare trashëgimie këto në traditën e popullit tonë, dhe që tashti janë edhe vlerat më të çmueshëm të qytetërimit bashkëkohor. Në këtë kontekst, është koha të ketë respekt dhe vlerësim, dinjitet dhe pa dallime për të kaluarën, për të gjithë luftëtarët dhe dëshmorët, për të gjithë atdhetarët dhe të përkushtuarit e përjetshëm që punuan, me dije dhe djersë, që Kosova dhe shqiptarët të jenë të lirë, krenar për të kaluarën dhe me vizion të qartë për të ardhmen. Është koha të marrin fund ndarjet dhe pjesëtimet që nuk kanë ekzistuar asnjëherë në qenien e njerëzve që sakrifikuan në beteja, burgje dhe izolime, sepse liria për të cilën ata dhanë gjakun dhe jetën e tyre, nuk mund të ndahen asnjëherë. Të gjithë dëshmorët dhe njerëzit që punuan me devotshmëri për liri, i përkisnin të kaluarës së përbashkët, i përkasin të tashmes së përbashkët dhe do t’i përkasin të gjithë si një, të ardhmes së përbashkët. Kjo mirënjohje e ndarë nga Bashkia e Mirditës, është vlerësim institucional për rolin dhe kontributin e këtij dëshmori të kombit në një periudhë të kthesave të mëdha historike të vendit tonë, atëherë kur zëri i Atdheut grishte për t’i dalë në ndihmë. Edhe Kolë Mirdita, edhe gjithë dëshmorët tjerë që jetën e tyre e dhanë për lirinë e Kosovës, treguan me veprën e tyre se si duhet të mbrohet e drejta e popullit për të jetuar i lirë dhe për të qeverisur veten”, ka nënvizuar ndër të tjera kryetari Elezaj.

Një pjesë e këtij manifestimi ishte konceptuar me një program artistik, ku të pranishmit i argëtuan  ansambli “Mirdita” nga Mirdita, po ashtu edhe artistët më me  famë të muzikës shqiptare, si Arif Vladi Nikollë Nikprelaj dhe Ilir Shaqiri etj.