KRYETARI TAKOHET ME DREJTORËT E SHKOLLAVE, DIKUTOHET PËR PËRGATITJET E VITIT TË RI SHKOLLOR
2024/08/28 - 8:51
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, së bashku me drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdija, kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm me drejtorët e shkollave për të diskutuar përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Gjatë takimit, u theksua rëndësia e një fillimi të mbarë të procesit mësimor dhe u analizuan të gjitha aspektet e nevojshme për krijimin e kushteve optimale në institucionet arsimore.
Kryetari vuri në dukje nevojën për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet komunës dhe shkollave, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës, sigurimin e materialeve mësimore dhe zbatimin e masave të reja për një proces mësimor të suksesshëm.
Drejtorët e shkollave prezantuan raportet për përgatitjet e deritanishme dhe sfidat me të cilat janë përballur.
Takimi përfundoi me një angazhim të përbashkët për të siguruar që nxënësit të kenë një vit shkollor të suksesshëm dhe të sigurt.