MBAJTJA E KONSULTIMIT PUBLIK PËR DRAFT-PLANIN E VEPRIMIT NË MJEDIS 2025-2030 NË KOMUNËN E KLINËS
2024/12/27 - 6:37
Në sallën e Kuvendit Komunal të Klinës u mbajt konsultim publik për Draft-Planin e Veprimit në Mjedis për periudhën 2025-2030. Ky takim u drejtua nga nënkryetarja e Komunës së Klinës, znj. Manushaqe Tanushi Selmani, me prezantimin e zhvilluar nga znj. Xhezide Trepça Gashi nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
Nënkryetarja Selmani nënvizoi rëndësinë e këtij dokumenti për të ardhmen e mjedisit në komunë: “Ky plan veprimi jo vetëm që përcakton hapat konkretë që do të ndërmarrim për të mbrojtur dhe përmirësuar mjedisin tonë, por edhe siguron që çdo veprim i ndërmarrë është në përputhje të plotë me legjislacionin. Është thelbësore që të gjithë qytetarët dhe palët e interesit të angazhohen aktivisht në këtë proces për të garantuar që zërat e tyre të dëgjohen dhe që masat e ndërmarra janë efektive dhe gjithëpërfshirëse.”
Draft-plani i veprimit për mjedisin 2025-2030 në Komunën e Klinës përfshin një gamë të gjerë masash që adresojnë sfidat mjedisore në komunë. Plani synon të përmirësojë menaxhimin e mbeturinave përmes aplikimit të teknologjive të reja për riciklimin dhe kompostimin, si dhe të ndërgjegjësojë publikun për reduktimin e mbeturinave. Ai gjithashtu mbështet ruajtjen e biodiversitetit duke mbrojtur habitatet dhe llojet në rrezik zhdukje, dhe kontrollin e ndotjes përmes politikave për reduktimin e emetimeve dhe përdorimin e energjisë së pastër. Edukimi dhe ndërgjegjësimi mjedisor janë jetikë për të nxitur praktika të qëndrueshme në komunitet, ndërsa partneritetet ndërkombëtare do të ndihmojnë në shkëmbimin e njohurive dhe financimin e projekteve. Ky plan strategjik synon të sigurojë një mjedis më të shëndetshëm duke angazhuar të gjithë aktorët e komunitetit në përmirësimin e mjedisit.
Takimi u mbyll me premtimin e nënkryetares që të gjitha komentet dhe sugjerimet e pranuara do të shqyrtohen me kujdes për të siguruar që plani përfundimtar jo vetëm që reflekton nevojat dhe shqetësimet e komunitetit, por edhe vendos një standard të lartë për mbrojtjen e mjedisit në vitet në vijim.