Republika e Kosoves

Klinë

MEMORANDUM MIRËKUPTIMI ME MMPHI PËR PROJEKTIN “BANIMI SOCIAL ADEKUAT”

2024/12/24 - 6:17

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për zbatimin e projektit “Banimi social adekuat”.
Ky projekt synon të përmirësojë kushtet e banimit për familjet ose individët të cilët nuk kanë të zgjidhur çështjen e banimit ose njësitë e banimit të cilat nuk i plotësojnë kushtet elementare për banim dhe kanë nevojë për rindërtim ose renovim.
“Si komunë kemi shprehur interes për nënprojektet:
Ndërtimin e projekteve (njësive banesore) të reja për banim social dhe
Rindërtimin apo renovimin e shtëpive private për familjet e cenueshme.
Realizimi i këtij projekti është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të përmirësuar jetesën e qytetarëve. Duke i ditur kërkesat e nevojat e qytetarëve, ne jemi shumë të interesuar që ky projekt të realizohet në Klinë dhe do t`i përmbushim të gjitha kërkesat dhe obligimet tona me qëllim që të jemi një ndër komunat përfituese të projektit,” – ka thënë kryetari Elezaj.