Republika e Kosoves

Klinë

PËR HERË TË PARË NË KLINË MBAHET OLIMPIADA MBARËKOMBETARË E MATËMATIKËS

2019/05/15 - 8:59

Komuna e Klinës, në bashkëpunim me Klubin e matematikanëve dhe informatikanëve “Pascal” nga Tetova ka përfunduar të gjitha përgatitjet për organizimin e Olimpiadës së 24-të Mbarëkombëtare të Matematikës, e cila këtë vit do të mbahet në qytetin e Klinës.

Kjo është hera e 24-të që organizohet kjo Olimpiadë, ndërsa organizimi i saj për herë të parë filloi në vitin 1995 në Tetovë.

Klina bëhet vetëm qyteti i dytë në Kosovë që organizon mbajtjen e kësaj Olimpiade, pas Gjilanit në të cilin qytet u organizua dy herë, në vitin 2005 dhe 2017.

Në Olimpiadën Mbarëkombëtare të Matematikës do të marrin pjesë nxënësit e klasave të VII,VIII dhe IX të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të ZI dhe Luginës së Preshevës.

Pritja e mysafirëve dhe nxënësve do të behët të premten ,më datë 17 maj, ndërsa hapja solemne e Olimpiadës do të bëhet të shtunën, më datë 18 maj, në ora 09:00, në Shkollën e Mesme të Lartë Profesionale, “Fehmi Agani”, në Klinë.

Zhvillimi i Olimpiadës do të fillojë të shtunën, në ora 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 13:00.

Shpallja e rezultateve preliminare do të bëhet në ora 17:00 në të njëjtën ditë, në tabelën e shpalljeve në objektin e komunës dhe atë të shkollës së mesme të lartë profesionale, “Fehmi Agani” në Klinë.

Rezultatet përfundimtare do të shpallen të dielën, më datë 19, në ora 09:30, ndërsa ndarja e shpërblimeve do të bëhet në orën 10:00 në shtëpinë e kulturës, “Jehona e Dukagjinit”, në Klinë, ku do të shfaqet edhe një program artistik.

Komuna e Klinës ka organizuar edhe një shëtitje për mysafirët në lokalitetin arkeologjik në Dresnik dhe te Ujëvara e Mirushës, e cila do të bëhet ditën e  shtunë.