Republika e Kosoves

Klinë

PËRFUNDOI EDICIONI I KATËRT I “CAMPING FEST 2022”

2022/07/29 - 5:59

Nën mbështetjen e Komunës së Klinës, përkatësisht, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, OJQ “Art Eko”, është përmbyllur organizimi i edicionit të katërt të “Camping Fest 2022”.

Të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtoresha e OJQ “Art Eko”, znj. Vlora Gashi, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, drejtorë të tjerë të drejtorive, piktorë, artistë, interpretues të shumtë e qytetarë.

Kryetari me një fjalë rasti përshëndeti të pranishmit dhe tha se:
“ Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut, një vend me trashëgimi të pasur kulturore, u bë pikëtakim i shumë artistëve, mërgimtarëve e qytetarëve, në natën e tretë dhe të fundit të “Camping Fest-it”, i organizuar nga OJQ “Art Eko” dhe mbështetur nga komuna e Klinës, ku janë prezantuar shumë pika artistike, duke na rikujtuar edhe mënyrën e jetesës që shqiptarët kanë bërë në të kaluarën. “Për ne, ka pohuar kryetari Elezaj, si institucione lokale është shumë i rëndësishëm organizimi i aktiviteteve kulturore, veçanërisht në kohën kur diaspora jonë gjenden në Kosovë, dhe çdoherë do të mbështesim nisma të tilla për promovimin e trashëgimisë kulturore”, është shprehur kryetari Elezaj.

Ndërsa, drejtoresha e OJQ “Art Eko”, znj.Vlora Gashi, u shpreh e lumtur për arritjen e realizimit të “Camping Fest” edhe për një edicon tjetër, duke iu ofruar kështu qytetarëve klinas një atmosferë të veçantë, e cila gërsheton historinë dhe modernën të shprehur përmes artit dhe muzikës.

Ajo gjithashtu falënderoi edhe mbështetësit tjerë të cilët ishin edhe pjesë e këtij manifestimi.
Tre net të këtij edicioni ishin të pasura me promovime të ndryshme, ekspozita artistike, monologë, instrumentale muzikore, interpretime të ansambleve të këngëve dhe valleve e në fund mbrëmja poetike me poetë përmbylli edhe këtë edicion.