Republika e Kosoves

Klinë

PËRUROHET SHKOLLA E RE “AZEM BEJTA” NË GRABANICË

2024/04/06 - 7:58

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, dje bashkë me ministren e Arsimit, znj. Arberie Nagavci, drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdija, bashkëpunëtorë, veteranë të arsimit, mësimdhënës, nxënës e qytetarë, përuruan objektin e ri të shkollës “Azem Bejta” në Grabanicë.
Në këtë objekt shkollor modern e që i përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e duhur të procesit mësimor nga sot do të vazhdojnë procesin mësimor rreth 200 nxënës e 25 mësimdhënës, ndërsa nga 1 shtatori do t`i bashkëngjiten edhe nxënësit e klasës së parë për të mbetur si gjenerata e parë historike që e fillon procesin mësimor në këtë objekt të bukur e bashkëkohor.
Kryetari Elezaj me një fjalë rasti para të pranishmëve tha:
“Ishte kënaqësi e veçantë të jem sot në Grabanicë për një arsye e moment sa të rëndësishëm aq edhe të veçantë si për nxënësit, mësimdhënësit, komunën e institucionet përgjegjëse, përurimin e objektit të ri të shkollës “Azem Bejta”.
Kjo shkollë është dëshmi se tash e 7 vite sektori i arsimit në Klinë është prioriteti ynë kryesor. Me vetëfinancim e me bashkëpunime me Ministrinë e Arsimit e institucione të ndryshme kemi kryer investimeve të mëdha si në përmirësimin e infrastrukturës në shkolla ashtu edhe në pajisjen e të gjitha shkollave me kabinete të nevojshme.
Përkrahja e investimet e institucioneve komunale nuk do të mungojnë asnjëherë dhe ne në vazhdimësi po realizojmë projekte të reja për t`ju përshtatur metodave inovative të procesit mësimor.
E falënderoj Ministrinë e Arsimit për financimin e projektit dhe e ftoj për bashkëpunime të tjera!
Mësimdhënësve ju shkoftë mbarë puna në objektin e ri të shkollës!
Nxënës të shkollës e gjeneratave të reja ju dëshiroj suksese të vazhdueshme e të mëdha, sepse suksesi juaj është krenari sukses edhe për ne.
Urime përurimi i objektit shkollor!”.