2018/04/20 - 1:00
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj dhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Prof. Arben Limani, morën pjesë sot në manifestimin e shënimit të 50-vjetorit të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Kjo vatër e arsimit dhe edukimit shënoi gjysmë shekullin e rrugës historike, të mbijetesës dhe të rritës së saj.
Duke iu drejtuar nxënësve, mësimdhënësve dhe gjithë të pranishmëve, kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, theksoi se sot është një ditë e veçantë jo vetëm për nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit “Luigj Gurakuqi, por edhe për qytetarët e komunës sonë, sepse po shënojmë gjysmë shekulli të punës dhe të rritës së këtij institucioni edukativo-arsimor, i cili dha kontribut të çmueshëm në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja. “Për gjithë këto vite në këtë rrugëtim të dijes, kjo vatër e arsimit kombëtar ka dhënë një kontribut të madh në shpërndarjen e rrezeve të diturisë kur brezat tanë kishin nevojë shumë për ato rreze të ngrohta të dijes kombëtare. Gjatë pesë dekadave nëpër bankat e kësaj vatre të dijes kanë dalë shumë e shumë gjenerata dhe sot shumica prej tyre janë kuadro të shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Ndërkaq, rruga historike e kësaj shkolle është përplot sakrifica dhe sfida, nëpër të cilat ka kaluar kjo vatër e arsimit. Në këto pesë dekada të punës qëndroi dhe nuk u gjunjëzua nga presionet dhe përndjekjet që u bënë nga regjimi serb për të ngulfatur këtë shkollë dhe arsimimin e shqiptarëve përgjithësisht. Prandaj, nuk ishte e rastësishme që caku i parë i sulmeve, jo vetëm ndaj shkollës shqipe dhe të qenies kombëtare, ishte pikërisht kjo vatër e dijes dhe e arsimit kombëtar, jubileun e së cilës po kremtojmë sot, sepse ky tempull i dijes ishte bërë jo vetëm përhapës i dijes, por edhe qendër e rezistencës në përkrahje të kërkesave të popullit për liri dhe pavarësi. Nga ky tempull u organizuan demonstrata, protesta, ndërsa edhe luftës së fundit të UÇK iu bashkëngjitën që nga ditët e para edhe shumë nxënës e mësimdhënës të kësaj shkolle. Kjo shkollë pati fatin të kishte edhe shumë nxënës dhe mësimdhënës të kauzës kombëtare. Shumë prej tyre janë dëshmorë dhe martirë të kombit. Po ashtu, edhe në saje të dijes që kanë marrë në këtë shkollë, shumë ish-nxënës dhe ish-mësimdhënës të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” sot janë personalitete të dalluara të jetës shoqërore, politike dhe akademike në Kosovë edhe jashtë”, ka theksuar kryetari Elezaj i cili vazhdoi se tash në Kosovën e lirë dhe të pavarur shkolla jonë po jep kontribut të çmueshëm në edukimin e gjeneratave të reja. Gjendja në arsim ende nuk është e kënaqshme, përkundër arritjeve të bëra.“Janë ndërtuar objekte të arsimit, po ashtu edhe infrastrukturë tjetër shkollore. Edhe ne si qeveri komunale, por edhe Qeveria e Kosovës jemi të angazhuar dhe të përkushtuar që ta ndihmojmë këtë segment tepër të rëndësishëm të jetës. Angazhimet e të të gjithëve janë të sinqerta për përmirësimin e pozitës shoqërore dhe materiale të mësimdhënësit tonë. Arsimit gjithsesi do t’i kthehet dinjiteti dhe autoriteti që duhet të ketë. Kjo është e domosdoshme për rolin që ka në zhvillimet dhe projektet shoqërore dhe integruese, në ngarendjen për një arsim sipas trendëve bashkëkohore evropiane.
Nëse arrijmë që nxënësit tanë të edukohen në frymën më të mirë, që të jenë nxënës të vyeshëm dhe të dijshëm, atëherë e kemi kryer obligimin tonë. Këto janë përkushtime që i duhen arsimit tonë. Të hulumtojmë të arritura më të reja në fushat e dijes dhe t’u mundësojmë nxënësve të nxënë sa më shumë dije. T’i edukojmë fëmijët tanë se si duhet të lartësohet shkolla jonë, arsimi ynë, sepse shkolla jonë lartësohet nga të gjithë ne bashkërisht. Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se fryma e bashkëpunimit, vetëdija dhe idealizmi janë ata faktorë që na nevojiten më shumë për ta ngritur lart arsimin, të ardhmen e vendit dhe të kombit. Kjo ditë feste dhe tradita e pasur e kësaj shkolle le të na shërbejnë si frymëzim dhe si shembull që të ngrihen më lart treguesit e cilësisë në arsim dhe të formojmë njerëz që do ta kenë fuqinë e mendjes dhe të guximit qytetar për të sfiduar vështirësitë dhe ndryshimet e shpejta shoqërore dhe teknologjike që po ndodhin në kohën që po jetojmë”, ka theksuar kryetari Elezaj në fjalën e tij përshëndetës.