Investimet në rregullimin e shtretërve të lumenjve, si masë preventive ndaj vërshimeve të mundshme, është një nga nevojat më emergjente në Klinë, veçanërisht për banorët e zonave përreth, të cilët shpesh po përballen me këtë problem.
Për këtë komuna e Klinës në vazhdimësi ka realizuar projekte në rregullimin e shtretërve të lumenjve, megjithatë investimet e reja janë të domosdoshme.
“Ne, në të njëjtën kohë, jemi duke i realizuar dy projekte. Krahas projektit për rregullimin e argjinaturave dhe pastrimin e rrjedhave ujore te lumit “Drini i Bardhë” në fshatin Zajm, projekt i cili ka vlerë mbi 50 000 euro, po vazhdojnë punimet për rregullimin e shtratit të lumit “Klina”, projekt dyvjeçar që parasheh rregullimin e argjinaturave të lumit, rregullimin e shëtitores dhe ndriçimit publik dhe i cili ka një vlerë mbi 745 000 euro.” – ka thënë Elezaj gjatë vizitave në teren.