2019/05/10 - 3:39
Sot, shkolla e mesme e lartë profesionale, “Fehmi Agani”, në Klinë, ka shënuar ditën e shkollës.
Në këtë shënim të ditës së kësaj shkolle morën pjesë Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj bashkë me bashkëpunëtorë, mësues, nxënës të kësaj shkolle dhe qytetarë.
Me këtë rast, kryetari Elezaj uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për shënimin e kësaj dite të veçantë për ta dhe ndër të tjerash theksoi se është detyrë e institucioneve që të krijojnë kushte çdo ditë e më të mira për arsim cilësor, sepse ky brez është e ardhmja e këtij vendi, nga të cilët presim shumë.
“Vërtet, ndjehem tepër i lumtur që sot së bashku ta shënojmë këtë ditë të veçantë për këtë shkollë, për komunën tonë dhe arsimin shqip në përgjithësi. Kur shënojmë të arriturat tona, njëherësh ndjemë edhe përgjegjësinë edhe më të madhe për një punë dhe angazhim edhe më të dinjitetshëm në mënyrë që rezultatet të na gëzojnë.
Puna dhe angazhimi me nxënës, me brezin e ri na obligon edhe më shumë për punë dhe përkushtim, sepse ky brez është e ardhmja e këtij vendi, nga të cilët presim shumë.
Të dashur nxënës, mësimdhënës dhe gjithë Ju të pranishëm.
Tani në liri beteja jonë vazhdon në arritjen e rezultateve të reja drejt edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj. Ju mësimdhënës të dashur, keni para vetes obligime dhe përgjegjësi të mëdha.
Besoj se do të jetë një përkushtim i veçantë i institucioneve të Komunës së Klinës dhe të Republikës së Kosovës që të krijohen mundësi sa më të mira për krijimin kushteve më të favorshme për aftësimin dhe zhvillimin intelektual dhe fizik të nxënësve, dhe ky përkushtim do të vazhdojë në vazhdimësi, në mënyrë që arsimi ynë të konsolidohet plotësisht dhe të bëhet pjesë e rëndësishme e zhvillimeve arsimore në rajon në shërbim të ndryshimeve dhe të forcimit të pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Kjo ditë kremte dhe tradita e pasur e kësaj shkolle le të në shërbejnë si frymëzim dhe si shembull që të ngrihen më lart treguesit e cilësisë në arsimin dhe edukimin shqip”, tha në fjalën e tij kryetari Elezaj.
Për nder të kësaj dite nga nxënësit e shkollës u shfaq një program i pasur kulturoro-artistik dhe u ndanë mirënjohje për klasat më të dalluara të shkollës dhe profesorin Kolë Berisha, i cili do të pensionohet.
Shkolla e mesme e lartë, “Fehmi Agani”, mori emrin e politikanit dhe sociologut, Fehmi Agani, në vitin 2008, emër të cilin e mbanë edhe sot.