2019/05/23 - 2:37
Shkolla fillore e mesme e ulët, “Esad Mekuli”, në fshatin Caravik të Klinës, ka shënuar sot ditën e shkollës.
Të pranishëm në këtë shënim të ditës së kësaj shkolle ishte drejtori i Arsimit në Komunën e Klinës, Arben Limani, bashkë me bashkëpunëtorë, mësues, nxënës të kësaj shkolle dhe qytetarë.
Para të pranishmëve, drejtori i Arsimit, Arben Limani, uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për shënimin e ditës së shkollës. Po ashtu, ai theksoi se është detyrë e institucioneve që të krijojnë kushte më të mira për arsim cilësor, sepse ky është amaneti i të gjithë të rënëve për lirinë e vendit.
“Ndjehem i lumtur që sot gjendëm në Caravik, një vend që ka dhënë shumë për lirinë e vendit. Duhet të angazhohemi që të përmbushim amanetin e të gjithë atyre që kanë rënë për lirinë e Kosovës, që të punojmë dhe të përkushtohemi sa më shumë për rezultate më të mira në arsim. Shfrytëzoj rastin që të i`u uroj ditën e shkollës, që në emër të Drejtorisë së Arsimit dhe në emrin tim, të i`u uroj ditën e shkollës. Suksese mësimdhënësve dhe nxënësve!”, tha në fjalën e tij drejtori Limani.
Për nder të kësaj dite nga nxënësit e shkollës u shfaq një program i pasur kulturoro-artistik.
Shkolla fillore e mesme e ulët, “Esad Mekuli”, filloi procesin edukativo arsimor në vitin 1988., ndërsa këtu vijojnë mësimin nxënës nga tri fshatra: Caravik, Plloqicë dhe Gullobovc.