Republika e Kosoves

Klinë

SHKOLLA FILLORE E MESME E ULËT, “MOTRAT QIRIAZI”, NË KLINË, SHËNOI DITËN E SHKOLLËS

2019/10/23 - 12:02

Shkolla fillore e mesme e ulët, “Motrat Qiriazi”, në Klinë, sot, me disa aktivitete kulturoro-edukative, ka shënuar ditën e shkollës.

Në këtë shënim të ditës së kësaj shkolle, të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Klinë, Prof. Dr. Zenun Elezaj i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tjerë, përfaqësues të Policisë së Kosovës, mësues, nxënës të kësaj shkolle dhe qytetarë.

Para të pranishmëve, kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për shënimin e ditës së shkollës.

“Ndjehem i lumtur që sot po e shënojmë një festë të përbashkët, Ditën e shkollës suaj dhe tonën. Çdo njeri dhe çdo institucion  e ka një  motiv për më shumë  punë, për më shumë suksese, kurse  nxënësit dhe punëtorët e shkollës  suaj gjithmonë duhet të  bazohen  në shëmbëlltyrën  arsimore dhe  atdhetare e pishtareve të arsimit Motrave Qiriazi, emrin e të cilave me dinjitet mban  kjo vatër e dijes dhe e arsimit tonë dhe  le t’ju shërbejë frymëzim dhe udhërrëfyes për punë dhe angazhim në rrugën tuaj të dijes.

Këto ngjarje madhore po ashtu na bëjnë të ndjehemi krenarë për rezistencën, sakrificat, por edhe të arriturat që ka pasur kjo vatër e dijes  për shumë dekada të jetës së saj, e cila mbijetoi në kohërat më të egra të rrugës së saj historike.  Puna dhe angazhimi i gjithëve në këtë shkollë, si në të kaluarën, po ashtu edhe tash,  si frymëzim për angazhim keni pasur  zgjimin e vetëdijes kombëtare, ndër të tjera edhe përhapjen e ideve iluministe të Rilindjes, sipas motos  Naimiane: “ Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”.  Po ashtu  mesazhi shumë domethënës dhe kuptimplotë i rilindësve tanë, “arsimi dhe gjuha  janë burime  të dijes dhe  fryma e kombit”, gjithmonë  kanë gjetur dhe do të gjejnë vend si udhërrëfyes  në  angazhimin tuaj të përhershëm.

Në fund, dëshiroj t’ju përkujtoj që ne si  Komunë jemi të përkushtuar që  edhe shkollën tuaj, por edhe gjithë shkollat tjera të  komunës sonë, t’i mbështesim me qëllim që t’u krijojmë kushte sa më të avancuara për  punë dhe  mbarëvajtje sa më cilësore, duke shpresuar se vetëm me krijimin e kushteve  solide, sukseset nuk do të mungojnë.

Nga investimet  kapitale  të Komunës dhe të Qeverisë së republikës së Kosovës, sot shkolla juaj  dhe shkollat tjera tona, kanë kushte  dhe mjete  më të favorshme për aftësimin.

Gjatë programit, për nderë të kësaj dite nga nxënësit e shkollës u shfaq një program i pasur kulturoro-artistik.