Republika e Kosoves

Klinë

U promovua libri poetik “Trëndafilat e Pranverës” të autorëve Smajl S. Manaj dhe Ylli R. Manaj

2019/03/22 - 4:35

Sot, në sallën e Kulturës, “Jehona e Dukagjinit”, në Klinë, nën organizimin e Kryetarit të Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj, është promovuar libri poetik “Trëndafilat e Pranverës”. Një libër post mortum, të autorëve Smajl S. Manaj dhe Ylli R. Manaj, i cili para disa ditëve u botua.

Kryetari i Komunës, prof.. dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij tha se : “Jemi tubuar sot këtu për  t’i  bërë homazh  kujtimi, njëherësh edhe për të promovuar librin e dy krijuesve, martirë të kombit, Smajl Sefer Manaj dhe Ylli Ramë Manaj, të titulluar  me  një titull me dimensione tepër simbolike, “Trëndafilat e pranverës”, të cilët përmes vargjeve të prezantuara në libër, shpalosin botën e tyre të brendshme dhe me  plot zjarrmi që përshkojnë një kohë që përvëlonte shpirtrat e këtyre martirëve – krijues, por edhe të popullit të tyre. Sot, edhe Smajli, edhe Ylli, edhe qindra qytetarë që përjetuan fatin e tyre në Kralanin famëkeq,   na mungojnë; u mungojnë familjeve, i mungojnë qytetit të Klinës, na mungojnë të gjithëve, por me veprat dhe shpirtin e tyre të derdhur në vargje,  bëjnë që gjithherë të jenë të përjetësuar mes nesh, si shprehje e vlerave dhe ndërgjegjes më të pastër njerëzore dhe kombëtare.

Lavdi jetës dhe veprës së këtyre dy krijuesve martirë të kombit, Smajl dhe Ylli Manajt. Lavdi e përjetshme për gjithë të rënët e këtij kombi.”

Për librin folën krijuesit Mikel Gojani, Hajdin Morina dhe redaktori i librit, Vehbi Miftari, të cilët vlerësuan se poezitë e Smajl dhe Ylli Manaj, të botuara post mortum, janë lidhje shpirtërore me autorët, të cilët lanë një shenjë që ne të kultivojmë kujtimin për ta dhe rrugën për të cilën ata dhanë jetën.

Në emër të familjes foli Ramë Manaj, i cili i falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen, po ashtu shprehi falënderime për Kryetarin e Komunës për mbështetjen dhe organizimin e këtij promovimi.

Në promovim kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, miq dhe familjarë të autorëve,  dashamirë të librit dhe qytetarë të shumtë.