Republika e Kosoves

Klinë

Zbulohet busti i dëshmorit të kombit Arben Haliti

2013/05/21 - 12:00

  Zbulimi i bustit dëshmon respektin që kanë institucionet për dëshmorët e kombit, ka thënë Bashota.

 Organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Klinë, , nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Klinës , Sokol Bashota, është bërë zbulimi i bustit të dëshmorit të kombit Arben Haliti, në 15 –vjetorin e rënies . Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka thënë me këtë rast  sot kur po e bëjmë zbulimin e bustit të këtij dëshmori po e kthejmë kujtesën të dhuna që ka ushtruar pushteti serb mbi popullatën shqiptare por njëherësh edhe veprën që kanë bërë dëshmorët e kombit. Ky dëshmor është pjesë e dritës dhe ndriçimit tonë në rrugëtimin e zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit demokratik. Zbulimi i bustit dëshmon respektin që kanë institucionet për dëshmorët e kombit, ka thënë Bashota. Për jetën dhe veprën e dëshmorit ka folur Ramiz Thaçi, i cili tregoi se 15 vjet  më parë gjatë një aksioni kundër forcave serbe, Arbeni ishte plagosur dhe ishte kapur i gjallë nga ushtria dhe policia serbe për të dërguar me pas në Stacionin e Policisë ku edhe vdiq nga torturat serbe. Ndërsa në emër të familjareve  të dëshmorëve ka folur Xhavit Jashari, i cili ndër të tjera ka thënë :se fjalët janë të vogla krahasuar me veprën që ka bërë Arbeni dhe dëshmorët tjerë të Kosovës.  Sot po i nderojmë të gjithë ata që në periudha të ndryshme kontribuuan për të shijuar lirinë e cila u kurorëzua me luftën e UÇK-së. Ndërsa, në emër të familjes motra e dëshmorit, Bahtije Haliti, tha se kjo ditë është e madhe dhe e shenjte për ne familjarët dhe gjithë Klinën .