Republika e Kosoves

Rahovec

KRYETARI VIZITON BIZNESIN “IDS – KOSOVA” NË RAHOVEC

2024/08/22 - 4:28

Kryetari i Komunës, z. Smajl Latifi në shoqërimin e drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm, Erhan Morina, vizituan biznesin “IDS – Kosova”, me pronar Tahir Selimajn, një kompani e re në Rahovec, me potencial të jashtëzakonshëm dhe një vizion afatgjatë për rritje. Ky biznes i cili operon në një sektor të specializuar, merret me montimin e rreth 200 llojeve të produkteve të rafteve të plastikës për ekspozimin e kozmetikës, që më pas eksportohen në Gjermani për kompaninë prestigjioze “Rossmann” dhe shpërndahen nëpër të gjitha pikat.
Aktualisht, kompania ka të punësuara 19 gra të Rahovecit, duke kontribuuar në fuqizimin ekonomik dhe social të komunitetit.
Tahiri, i lindur në Gjermani, është i përkushtuar ndaj zhvillimit dhe punësimit në Rahovec dhe është entuziast për të investuar në Kosovë. Ai ka synime të qarta për zgjerimin e mëtejshëm të biznesit, duke planifikuar të nisë prodhimin e këtyre produkteve direkt në Rahovec. Për më tepër, ai ka në plan të ofrojë aftësim profesional për të rinjtë, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim dhe punësim.