2022/12/09 - 3:19
Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete në kuadër të Drejtorisë për Administratë Komunale në bashkëpunim më OJQ “Melissa” përfituesen e projektit ka mbajtur fushatën “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës në Baza Gjinore”
Kjo fushatë ka filluar më 25 Nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe përfundon më 10 Dhjetor ku edhe shënohet Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Fushata “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës në Baza Gjinore” kishte si qëllim ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e qytetarëve në përgjithësi për dukurinë e dhunës, parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave si dhe gjatë këtyre fushatave është bërë edhe shpërndarja e fletushkave dhe bluzave më mbishkrimin “Stop Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave”
Aktivitetet dhe fushatat ndërgjegjësuese janë realizuar në Shkolla, Qendrën për Punë Sociale, Qendrën e Mjekësisë Familjare, gra dhe vajza nga biznese të ndryshme dhe tek qytetarët në përgjithësi. Në kuadër të fushatës “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës në Baza Gjinore” u mbajt edhe tryeza përmbyllëse më ligjëruesen znj.Ardita Balaj, drejtoreshë e Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë, e cila ka një përvojë shumëvjeçare në këtë fushë.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin, Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete, Drejtoresha për Kulturë, Rini, dhe Sport Elianë Blakaj, zyrtarë nga komuna, zyrtarë të shërbimeve sociale nga Qendra për Punë Sociale, përfaqësues nga Qendra e Mjekësisë Familjare, Policia, përfaqësues nga OJQ dhe media, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.