Republika e Kosoves

Istog

Kryetari

ILIR  FERATI – Kryetar i Komunës së Istogut

 

Ilir Ferati ka lindur më 18 dhjetor 1988 në Istog. Ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme në Istog ndërsa ka diplomuar në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) në Drejtimet Politika Publike dhe Menaxhment.

Pas diplomimit, Iliri, për katër vite ka shërbyer si Zyrtar i Lartë për Projekte në Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Istogut. Si shërbyes civil është angazhuar kryesisht në tërheqjen e investimeve për zhvillimin e turizmit malor në Istog dhe gjithashtu ka kontribuar në sigurimin e granteve e mbështetjes komunale për qytetarët e bizneset e Istogut.

Në zgjedhjet nacionale të tetorit 2019 është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së. Përgjatë mandatit të deputetit ka qenë anëtar i komisionit për infrastrukturë, bujqësi dhe ambient, anëtar i komisionit hetimor për menaxhim të pandemisë, si dhe ka iniciuar ndryshimin e disa ligjeve e ndër ta edhe ligjin për shërbyesit civil – përkatësisht heqjen e kriterit që kërkon 2 vite përvoje pune për të u punësuar në institucionet publike. Ky inicim ndryshim është bërë me qëllim që të sapo-diplomuarit tanë të i kenë të gjitha kushtet për kyçje në tregun e punës pas diplomimit.

Iliri, në gusht të vitit 2021, ka shpallë kandidaturën për Kryetar të Istogut nga radhët e LDK-së dhe me 14 nëntor 2021 është zgjedhur Kryetar i Komunës se Istogut.

Është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, i kryesisë qendrore dhe i degës së LDK-së në Istog.

Përveç gjuhës amtare, Iliri flet dhe shkruan rrjedhshëm në gjuhen angleze.

Iliri është i martuar me Shpresën, ka një fëmijë dhe jeton në fshatin Gurrakoc të Istogut.