Republika e Kosoves

Istog

Tryezë e rrumbullakët për nderë të Ditës Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim

2010/09/28 - 12:00

Gjatë këtij viti, Qendra Rajonale e OSBE-së në Pejë është në realizim e sipër të projektit “Lehtësimi i Qasjes në Informata dhe Dokumente Publike” i cili projekt ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të komunave për tu mundësuar të gjitha komuniteteve në Rajonin e Pejës qasjen sa më të lehtë në informata zyrtare.

Prandaj, në kuadër të këtij projekti, OSBE ka organizuar një tryezë debati për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim, ngjarje kjo që synon të promovojë konceptin e së drejtës për informim si dhe të zbatojë Konventën e Evropës 2009, Qasjen në Informata Zyrtare.
 
Drejtori i Qendrës Rajonale të OSBE-së, z. Jovdat Mammadov, kryesues i kësaj tryeze ka përshëndetur të ftuarit duke ju përkujtuar se e drejta për të qenë i/e informuar është një e drejtë shumë fundamentale e secilit qytetarë.
 
“Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka kënaqësinë për të kontribuar në zhvillimin dhe avancimin e transparencës e të llogaridhënies. Liria e të shprehurit, pa dyshim se është e drejtë fundamentale e secilit qytetarë”, ka thënë në fjalën e tij hyrëse z. Mammadov.

Në këtë frymë, prezantime kanë ofruar edhe zyrtarja e lartë pranë Zyrës Rajonale të OSBE-së në Pejë znj. Manuela Vendor, znj. Shqipe Pantina nga Qendra për Politika dhe Avokim ndërsa pjesa e debatit, që nga shumë pjesëmarrës u tha se organizatori kishte lënë pak hapësirë pjesëmarrësve të kontribuojnë në këtë lëmi, dominuan opinione të ndryshme se ka apo nuk ka transparencë. Në parim, mediat mendojnë se ballafaqohen me vështirësi për të ardhur gjer tek një dokument zyrtar, përderisa pati edhe zyrtarë komunal që me këmbëngulësi deklarojnë se qasja në dokumente është e plotë.
 
Ky debat është pëlqyer nga pjesëmarrësit me vërejtjen që, edhe pse të ftuar, asnjëri nga kryetarët e gjashtë komunave në rajon, nuk e kishte parë të udhës të marrin pjesë në këtë tryezë.