Klina si komunë ka pozitë të përshtatshme gjeografike dhe ekonomike , shtrihet në perëndim të Kosovës, në veri-lindje të Rrafshit të Dukagjinit. Komuna e Klinës ka sipërfaqe prej 308.8 km 2 . Kufizohet me këto komuna: Pejën, Istogun, Skënderajn, Drenasin, Malishevën, Rahovecin dhe Gjakovën.
Komuna e Klinës është themeluar në vitin 1954 dhe ka 14 bashkësi teritoriale (qendra të fshatrave) me gjithsej 54 vendbanime. Pozita natyrore dhe konfiguracioni mundëson që Klina të ketë lidhje të mira rrugore dhe hekurudhore. Nëpër Klinë kalon rruga magjistrale Prishtinë Klinë-Pejë, rruga Klinë-Skenderaj-Mitrovicë, Klinë-Istog-Pejë si dhe vijat hekurudhore Fushë Kosovë-Klinë-Pejë dhe Fushë Kosovë-Klinë-Prizren.
Territori i Klinës dhe i tërë Dukagjinit përbën një pjesë të mbyllur më vete dhe të rrethuar me male. Drini luan rol të madh në lidhjet në mes këtij territori e Republikës së Shqipërisë.Përmes Llapushës lidhet me Prishtinën e më larg. Rrugët që çojnë kah Gjakova, Peja, Gurrakoci, Prishtina dhe tani kah Skënderaj, të gjitha këto të asfaltuara, i mundësojnë këtij territori lidhje të mira me qendrat tjera të Kosovës. Vija hekurudhore që kalon nëpër territorin e Klinës, ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e komunës së Klinës.
Pozita gjeografike dhe kushtet klimatike veçanërisht në pjesën e Rrafshit të Dukagjinit janë të volitshme për zhvillimin e bujqësisë: kultivimit të kulturave bujqësore, perimeve, pemëve dhe kushteve të mira për zhvillimin e blegtorisë dhe bletarisë . Nëpër territorin e Klinës kalojnë gjashtë lumenj:
Drini i Bardhë, Lumbardhi i Pejës, Klina, Mirusha , Lumi i Istogut dhe Lumbardhi i Deqanit. Prej tyre katër kanë rrjedhë fushore dhe me ndërtimin e ujë nxënieve (pendave) përgjatë rrjedhës së tyre do të mund të ujiteshin deri në 2.000 ha toka bujqësore.Me realizimin e projekteve për ndertimin e kanaleve të ujitjës dhe pendave gjer me tani ujiten rreth 1200 ha tokë bujqësore.
Klima e këtij territori ka karakteristikat e klimës së butë kontinentale, me ndikim të klimës mesdhetare Temperatura mesatare e ajrit është 11.3 gradë celsius.
Klina hyn në zonën intensive për nga mundësitë e zhvillimit të bujqësisë , pasi që 87.7 % e sipërfaqes është nën 600 metra të lartësisë mbidetare. Tokë bujqësore është 95%, vetëm 4.9% janë toka jopjellore. Në strukturën e tokave bujqësore dominojnë arat me 12.734 ha, pyjet me 12.735 ha, livadhet me 2.184 ha, kullosat me 2.043 ha etj.
Klina ka resurse natyrore minerale dhe jo minerale: rezerva të linjitit 2 miliardë tonë, të xehes se boksitit 2 milionë tonë, të argjilës 6.5 milionë tonë, të rërës dhe zhavorrit 3.5 milionë tonë.
Përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha në pjesën jugore dhe jug-perëndim te Klinës janë ujëvarat, një bukuri e rrallë natyrore me një botë bimore dhe shtazore të pasur. Ky kompleks me një sipërfaqe prej 200 ha është një zonë e mbrojtur-rezervat, me mundësi te mira për zhvillimin e turizmit.