2018/04/04 - 4:36
Mbledhjen e udhëhoqi kryesuesi Bajram Mavriqi, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe disa përgjegjës të zyrave komunale. Komiteti për Politikë dhe Financa, sot e mbajti takimin e parë për këtë vit. Pesë pikave të parapara iu shtua edhe një pikë e propozuar e cila kishte të bënte me aktivitetin e Inspektoratit komunal, lidhur me cilësinë e mishit dhe të artikujve tjerë ushqimor. Pasi që nuk kishte material dhe përfaqësues të drejtorisë përkatëse u propozua që të debatohet në seancën e ardhshme të kuvendit.
Këto pika si në vijim u proceduan për shqyrtim për seancën e kuvendit komunal: Shqyrtimi i raportit vjetor financiar për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2017, shqyrtimi i kërkesës për bartjen e të hyrave vetanake 2016/2017 në 2018,shqyrtimi i Informatës për mbjelljet pranverore 2018, shqyrtimi i raportit për menaxhimin e aseteve komunale (inventarit),dhe të ndryshme. Për pikën e parë edhe të dytë para anëtarëve KPF-së , u përgjigj zyrtari kryesor financiar Naser Hashani, ndërsa informatën për planifikimin e mbjellëve pranverore i paraqiti Nejazi Kastrai. Ndërkaq, Ramadan Basha, iu përgjigj pyetjeve për menaxhimin e aseteve komunale. Kryesuesi kërkoi nga Drejtoria e Bujqësisë që t’u ndihmoj fermerëve në përgatitjen e projekteve për aplikim për grante të ndryshme,si dhe informata për seancën e ardhshme për gjendjen dhe menaxhimin e pyjeve në Komunën e Kamenicë.
Seanca e ardhshme e kuvendit është caktuar me:10.04.2018.