Republika e Kosoves

Kamenicë

Dardanapress organizon tryezën me temën “Përfshirja e Trashëgimisë Kulturore në planet zhvillimore Komunale”

2024/03/15 - 11:18

Organizata joqeveritare Dardanapress, në kuadër te projektit “Promovimi dhe Edukimi të Trashëgimisë Kulturore në Komunën e Kamenicës”, ka mbajtur tryezën me temën “Përfshirja e Trashëgimisë Kulturore në Planet Zhvillimore Komunale”.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë: Nënkryetarja e Komunës për Komunitete, përfaqësues nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, përfaqësues nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës, qytetarë, zyrtar komunal për trashëgiminë kulturore, përfaqësues të institucioneve komunale, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe mediat lokale.

Qëllimi i organizimit të tryezës ishte informimi për gjendjen momentale të objekteve të Trashëgimisë Kulturore në Komunën e Kamenicës dhe Përfshirja e Trashëgimisë Kulturore në Planet Zhvillimore Komunale.

Tema tjera të diskutimit në tryezë ishin: krijimi i një data baze me shënimet e Trashëgimisë Kulturore të Komunës së Kamenicës, regjistrimi i objekteve të Trashëgimisë Kulturore në zonat kadastrale të komunës, rifunksionalizimi i objekteve të Trashëgimisë Kulturore, shfrytëzimi racional dhe vënia në shfrytëzim më qëllim të zhvillimit ekonomik lokal.

Pas diskutimeve nga pjesëmarrës në tryezë kanë dalë këto rekomandime dhe konkluzione: kthimi i materialeve arkeologjike nga komunat tjera komunës së Kamenicës, hapja e rrugës për te Kalaja e Kolinës, rishikimi i listës të objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë, hartimi i strategjisë komunale për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, hartimi i Planit 3 vjeçar dhe Rregullorja për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, inicimi i dërgesave dhe kërkesave për t’i vendosur objektet, monumentet në listën e mbrojtjes të Trashëgimisë Kulturore, etj.

Projekti “Promovimi dhe Edukimi të Trashëgimisë Kulturore në Komunën e Kamenicës”, është përkrahur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.