Republika e Kosoves

Kamenicë

Në Kamenicë u themelua Asambleja Komunale e Fëmijëve

2023/05/26 - 7:26

Komuna e Kamenicës ka theneluar Asamblenë Komunale të fëmijëve. Themelimi i kësaj Asambleje është bërë me iniciativë të zyrtares për të drejtat e fëmijëve, njëkohësisht, Koordinatores së NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati dhe me mbështetje të Kryetarit të Komunes, Kadri Rahimaj dhe Drejtorit të Arsimit Afrim Dërvishi.

Asambleja Komunale e Fëmijëve do të jetë një zë i fuqishëm i mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në komunë.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Dërvishi, në seancën e Asamblesë përshëndeti nxënësit edhe në emër të Kryetarit Rahimaj, potencoi angazhimin dhe përkushtimin e qeverisjes komunale në përmirësimin e ambientit ku zhvillohet mësimi, rritjen e sigurisë dhe pasurimin e jetës shkollore me aktivitete kulturore e sportive.

“Ne jemi në shërbim të plotë të qytetarëve dhe para çdo vendimi konsultohemi me ta. Nga sot e tutje do të konsultohemi edhe me juve dhe do t’i dëgjojmë kërkesat dhe dëshirat tuaja. Ju do të jeni zëri i të gjithë fëmijëve të të gjitha shkollave, të të gjitha gjeneratave pa dalim gjinie, race apo besimi.

Përpara kemi shumë punë për të bërë. Kur ato i bëjmë bashkë, patjetër do të korrim suksese”, ka thënë ai.

Kurse Nazmije Demolli Kastrati koordinatore e Njësisë komunale për të Drejtat e Njeriut, i ka njoftuar fëmijët me mënyrën si zgjidhet asambleja e rregullt komunale, numrin e anëtarëve, përbërjen e saj si dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e këtij organi të qeverisjes lokale, i cili merr vendime që kanë rëndësi për qytetarët dhe mirëqenien e tyre.

“Tek ju shoh shumë vullnet e energji për ndryshime të mëdha në shoqërinë tonë. Që nga mosha e juaj është mirë të krijojmë një kulturë të barazisë, një frymë të re në shoqërinë tonë ky kemi të drejta të barabarta për të gjithë fëmijët. Ne si institucione do të bëjmë çmos që shqetësimet tuaja dhe qështjet që janë në interes për ju t’i zgjidhim me mundësitë që i kemi”, ka thënë ndër të tjerat Demolli Kastrati.

Në mbledhjen inauguruese të Asamblesë së Fëmijëve, që përbëhet nga nxënës përfaqësues të të gjitha shkollave të mesme të ulta të Komunës së Kamenicës janë zgjedhur edhe strukturat drejtuese.

Me votim të mbyllur, me shumicë votash fëmijët – nxënësit kanë zgjedhur:
Elda Kallaba – kryetare të asamblesë komunale, Elona Hajrizi – nënkryetare të parë,
Muhamed Matoshi – nënkryetar i dytë,
Rialda Dërmaku – sekretare dhe
Eljesa Maka – arkatare.

Kryesia e Asamblesë së Fëmijëve të posazgjedhur, u zotuan se do të jenë zëri i fuqishëm i bashkmoshatarëve të tyre nga shkolla e lagjja duke i shtruar për diskutim të gjitha problemet dhe sfidat që i preokupojnë.

Kjo sot paraqet vetëm njërin nga plot aktivitete që po zhvillohen për të shënuar 1 Qershorin-Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.