INFORMATË - 13 shkurt 2012

Përmes kësaj komunikate duam t’iu informojmë, se Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, pas situatës së krijuar nga reshjet e mëdha të dëborës, është mobilizuar dhe ka angazhuar të gjitha resurset profesionale dhe resurset tjera për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët me nevoja shëndetësore, shërbime këto të cilat ofrohen përmes QKMF dhe QMU. Në veçanti jemi duke u kushtuar vëmendje të shtuar pacientëve kronikë, atyre në hemodializë,  dhe shërbimeve në terren. Gjatë 10-ditëshit të parë të muajit Shkurt, QKMF dhe të gjitha QMF në qytet si dhe Ambulancat në periferi-afërsi të Prishtinës kanë funksionuar dhe vazhdojnë të operojnë me orar dhe kapacitete të plota, ndërkohë që vështirësi po hasim në pjesët rurale.
Në qytet punojnë 3 QMF edhe gjatë ndërrimit të natës: QKMF, QMF V (Dardania) dhe QMF VI (Kodra e Diellit). Vetëm në këto 3 qendra për 10 ditë, vetëm gjatë ndërrimit të natës shërbime shëndetësore kanë kërkuar 816 pacientë (mesatarisht nga 25-30 pacientë për secilën QMF), ndërkohe që numri i përgjithshëm i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore gjatë kësaj periudhe është 3201.

Në kuadër të QKMF funksionin edhe shërbimi shtëpiak, i cili gjatë këtyre ditëve ka ofruar 121 vizita dhe shërbime shëndetësore shtëpiake; vetëm në 5 raste të thirrura nga qytetarët, ky shërbim shtëpiak nuk ka arritur të mbërrijë deri tek qytetarët për shkak të vështirësive në komunikacion, dhe atë në lagjen “Kolovica e Re”, rrugën “Drenica II” dhe “ 27 Nëntori”.

Sa i përket QMF dhe ambulancave në pjesët rurale situata është si më poshtë:
Në Hajvali, Besi dhe Mat QMF kanë funksionuar normalisht në 2 ndërrime, nga ora 07:00-20:00;
Ambulancat në Shkabaj, Barilevë, Bardhosh dhe Llukar poashtu kanë funksionuar sipas orarit:
Në Koliq, Keqekollë, Slivovë, Rimanishtë, Sharban ekipet mjekësore kanë kryer shërbime shëndetësore sipas orarit, me përjashtim të datës 08 shkurt, kur ekipi nuk ka arritur të depërtojë deri në këto ambulanca.
Në Dabishevc, nuk ka mund të shkojë ekipi, ndërsa në Mramuer ka funksionuar normalisht, me përjashtim të ditës së sotme, 13 shkurt, kur ekipi është vonuar për disa orë, por në mesditë ka arritur të mbërrijë deri tek ambulanca.

Sa i përket transportit të pacientëve në hemodializë, edhe pse me pengesa dhe vonesa në raste të caktuara, ky shërbim është kryer për të gjithë pacientët e tillë; transporti i pacientëve nga brendia e qytetit është zhvilluar normalisht, kurse numri i pacientëve që janë në hemodializë nga pjesët rurale është 16. Për 6 pacientë në hemodializë, që janë nga fshatrat më të largëta, kemi arritur marrëveshje me QKUK, përkatësisht me repartin e Hemodializës që për këta pacientë të sigurohet qëndrimi në klinikë deri sa të përmirësohen kushtet për transport të rregullt, dhe për këtë e falënderojmë QKUK për mirëkuptim.

Shërbimi i transportit të pacientëve jashtë Kosovës, këto ditë ka transportuar 3 raste për në Shkup.

Edhe ekipet e Qendrës së Mjekësisë Urgjente janë mobilizuar maksimalisht dhe po ofrojnë shërbime 24 orë pandërprerë; gjatë këtyre 10 ditëve, nga ky shërbim janë ofruar gjithsejtë 844 shërbime shëndetësore; duhet çmuar sidomos punën e këtyre ekipeve, kur edhe përkundër vështirësive natyrore, ekipet ka ndodhur që të ecin në këmbë edhe deri në 500-1000 m n për të arritur deri tek pacientët; vështirësi veçmas kemi pasur në lagjen e Vneshtave, pastaj në rrugën e Bledit dhe Kodrën e Trimave,  si dhe në një rast në Mramuer.

DSHMS është në kontakt të vazhdueshëm dhe në bashkëpunim edhe me drejtoritë tjera, veçmas atë të Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, si dhe me Zyrën e Bashkësive Lokale po përcjell me vëmendje situatën e krijuar dhe është në gatishmëri që të intervenojë sipas nevojës. Të gjitha QMF dhe ambulancat janë të furnizuara mirë me barnat e nevojshme, dhe janë udhëzuar të gjitha ekipet shëndetësore që në rast se nuk mund të arrijnë të ofrojnë shërbim për ndonjë qytetarë, të informojnë përgjegjësit e tyre, si dhe të kontaktojnë përsëri pacientët për të gjetur mundësinë që të arrijnë deri tek pacienti.
DSHMS falënderon të gjithë qytetarët e Prishtinës për mirëkuptimin e treguar gjatë këtyre ditëve dhe i fton për bashkëpunim të vazhdueshëm, duke i siguruar ata se shërbimet shëndetësore do të vazhdojnë të ofrohen, edhe përkundër vështirësive natyrore. Në të njëjtën kohë, iu bëjmë thirrje që shërbimin emergjent t’a kursejnë maksimalisht nga thirrjet jo emergjente, në mënyrë që ky shërbim të mund të ofrojë shërbime profesionale për pacientët në nevojë.


RSS