2024/08/27 - 2:47
Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri dhe Kryetari i Lidhjes së Biznesve të Kosovës, z.Besart Dreshaj kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Komunës së Pejës dhe Lidhjes së Biznesve të Kosovës.
Memorandumi i Mirëkuptimit synon rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve në procesin e implementimit të qëllimeve të përbashkëta, pra në bazë të partneritetit do të zhvillojnë bashkëpunimin në realizimin e promovimit të prodhimeve vendore “Java e Biznesit Kosovar”, zhvillimit të projekteve ekonomike lokale, promovimit të bizneseve, investimeve të huaja, propozimeve lidhur me zhvillimin ekonomik lokal, zhvillimin e projekteve të përbashkëta në Komunën e Pejës.
Do të ofrojë bashkëpunimin e mirëfilltë për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, të cilat do të zhvillohen me Komunën e Pejës, për promovimin e prodhimeve vendore “Java e Biznesit Kosovar”, turizmin në kuadër të Komunës së Pejës, si dhe bashkëpunimin në zhvillimin e projekteve të tjera me karakter ekonomik, pra nga memorandumi do të përfitojnë sektori privat, prodhuesit vendor, turizmi malor i Komunës, si dhe duke sjellë investitorë potencial të huaj në Komunën e Pejës.